Aktualitet Mbyllje në prag festash? Silva Bino tregon se si do veprohet

Mbyllje në prag festash? Silva Bino tregon se si do veprohet

Covid-19 vijon të marrë jetë njerëzish çdo ditë në vend, dhe kjo prirje po shihet me shqetësim nga qytetarët. Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë pranë ISHP-së, Silva Bino, ka folur në Euronews Albania rreth pandemisë në vend, dhe masat të cilat do të merren për menaxhimin e virusit.

Ajo tha se gjatë dy javëve të fundit vihet re një stabilizim i gjendjes, kjo dhe për shkak të masave të pjesshme që janë ndërmarrë.

“Jo, ne nuk kemi pasur një rritje drastike të numrave siç kishim vënë re tre apo katër javë më parë, por gjatë këtyre dy javëve të fundit vumë re një tendencë stabilizim, gjë e cila vjen edhe nga masat e bllokimit të pjesshëm, që ne kemi aktualisht pasi mbajtja e maskave me detyrim në mjedisin e jashtëm ishte një masë, e cila nuk është respektuar aq sa duhet nga qytetarët shqiptare, të cilët i mbajnë maskat, por i mbajnë në qafë dhe nuk i mbajnë ashtu siç duhet”, tha Bino.

“Koronavirusi përhapet edhe përmes rrugëve ajrore”

Mjekja Silva Bino tha se shkenca ka vërtetuar tashmë se koronavirusi nuk përhapet vetëm nga spërklat e pështymës, por përhapet edhe përmes rrugëve ajrore.

“Por dihet se koronavirusi, Sars Cov-2 është një virus që nuk përhapet vetëm nëpërmjet spërklave, por përhapet gjithashtu dhe nëpërmjet rrugës ajrore, pra është një virus që qëndron në ajër. Ne mund ta përhapim virusin edhe duke folur, edhe duke kënduar dhe nuk e përhapim vetëm në përmjet spërklave. Pikërisht për këtë arsye është tepër ngjitës, këto janë fakte që janë provuar shkencërisht, dhe kjo është e domosdoshme”, tha ajo.

E pyetur se a rrezikon Shqipëria të shkojë drejt ri-mbylljes, Bino tha se gjithçka varet nga shifrat.

“Situata jonë është e njëjtë me të gjithë vendet e Ballkanit dhe aktualisht Ballkani ka një rënie të numrit të rasteve, por domethënë situata jonë është e ngjashme me vende të tjera të Ballkanit. Kjo do të varet nga shifrat, janë masat që po ndiqen kohë pas kohë. Ne nesër do të kemi një rivlerësim të javës se si ka shkuar, dhe dyjavëshit që ka shkuar, dhe në këtë mënyrë do të vendosim në drejtim të masave më shtrëngese apo jo”, tha ajo.

Gjithashtu Bino u shpreh se nuk është e këshillueshme që për festat e fundvitit të udhëtohet nga një qytet në tjetrin, pasi kjo lëvizje shton ajo rrit mundësinë e përhapjes së Covid-19.

“Nga vendimet që do të merren, ajo çfarë unë do të thoja është që qytetarët të jenë të përgjegjshëm vetë, që të mënjanojnë udhëtimet nga një qytet tek tjetrit gjatë festave, sepse kjo shkakton grumbullime dhe transportim të virusit nga një qytet në tjetrin. Sa më pak njerëz të qëndrojmë në shtëpitë tona dhe t’i festojmë me familjet tona festat, aq më mirë do të jetë në drejtim të kontrollit të virusit”, tha Binoo.

“Kemi katër raste riinfektimi me Covid-19”

Gazetarja Ilva Tare pyeti znj. Bino nëse ka pasur raste riinfektimi me Covid-19, dhe për këtë mjekja dha këtë përgjigje: “Kemi katër raste riinfektimi me Covid, ku dy prej tyre janë personel shëndetësor dhe këto kanë qenë raste, të cilat ne i kemi vërtetuar, dhe kanë qenë raste përtej tre muajve, sepse tre muaj pasi kalon Covid-in ti mund të kesh pozitivitet, por personi nuk është infektues se janë mbeturinat të virusit. Pra, kjo nuk është se personi është infektues, dhe nuk paraqet rrezik për tjetrin. Në një rast ka qenë më agresiv. Ka pasur rastet që riinfektimi ka qenë një formë të lehtë, por ka pasur raste më të rënda.”

Mjekja listoi grupet e shoqërisë, të cilat do të jenë të parat në radhë për të marrë vaksinën. Sipas saj, grupi i parë, i cili do të përfitojë është stafi mjekësor, dhe ato persona, që kanë kontakte apo që iu shërbejnë të sëmurëve.

“Sigurimi i vaksinës për vendet e vogla është një sfidë, dhe për këtë arsye ato marrin pjesë nëpër disa konsorciume. Natyrisht grupet e para të cilat do të vaksinohen janë grupet ku impakti dhe risku është më i madh. Grupi i parë janë punonjësit shëndetësorë, mjekët, infermierët, sanitarët, pra njerëzit që punojnë direkt me të sëmurët në spitalet. Pastaj kemi persona të cilat jetojnë në qendrat rezidenciale, si azile, qendrat për të moshuar, dhe persona që kanë probleme të tjera të shëndeti mendor, të cilët kanë risk të lartë të preken. Pastaj do jenë persona mbi 65 vjeç. Ajo qe kemi vënë re nga të dhënat tona, është se incidenca më e lartë e vdekjeve është mbi 75 vjeç, dhe mbi 65 vjeç. Vdekjet janë një impakt shumë i madh në shëndetin e njerëzve, dhe këta do të jenë persona, që do të vaksinohen”, u shpreh Bino.

Kur pritet të vijë vaksina

Në fund ajo tha se deri tani vaksinat janë provuar se janë të sigurta, por pyetjes se kur ajo mund të vijë në Shqipëri, Bino nuk iu përgjigj me saktësi duke lënë të kuptohet se afati i ardhjes së saj është tremujori i parë i vitit 2021.

“Vaksinat në përgjithësi janë vaksina të sigurta, pavarësisht se kanë marrë atë që quhet “aprovimi i emergjencës”. Ato janë testuar në njerëz, kemi të dhënat të sakta në lidhje me to dhe efektet anësore nuk kanë qenë madhore, por kanë qenë të rralla. Do duhet të vijë brenda tre muajve të parë të vitit”, përfundoi ajo.