Bota Si ia doli Tajlanda të ketë kaq pak infeksione me Covid?

Si ia doli Tajlanda të ketë kaq pak infeksione me Covid?

Kur koronavirusi filloi të përhapej me shpejtësi në qytetin kinez Wuhan, Tajlanda u duk e pambrojtur. Ishte vendi i parë jashtë Kinës që raportoi një rast me Covid-19, kur më 13 janar, një grua 61-vjeçare nga Wuhan u konfirmua se ishte testuar pozitive në Bangkok. Tajlanda ishte asokohe në kulmin e sezonit turistik, duke mirëpritur udhëtarët nga e gjithë bota. Një shpërthim i madh dukej gati i pashmangshëm.

Megjithatë, 11 muaj më vonë, si shumë nga fqinjët e saj të Azisë juglindore, Tajlanda deri më tani ka shmangur shpërthimin e rrezikshëm të virusit. Deri më 15 tani (17 dhjetor), Tajlanda ka regjistruar 4,281 infeksione që nga fillimi i vitit – pak më shumë se një e pesta e rasteve të regjistruara vetëm të hënën në Mbretërinë e Bashkuar. Viktimat janë 60.

Prof. Anucha Apisarnthanarak, shefi i sektorit të sëmundjeve infektive në Universitetin Thammasat, tha për Guardian se suksesi i vendit ishte komunikimi i qartë nga ekspertët e shëndetit, një gatishmëri për të lejuar shkencëtarët të drejtojnë masat kundër Covid dhe bllokim efektiv, i cili u ndoq nga publiku.

“Unë mendoj se një nga ndërhyrjet më me ndikim ishte mbajtja e maskës kudo”, shtoi ai. “Ne e bëmë atë jo sepse e dinim [që do të ishte efektive] por sepse disi kjo është kultura aziatike”. Provat sugjerojnë se kjo uli ndjeshëm numrin e infeksioneve dhe vdekjeve.

Teksa Tajlanda mbante nën kontroll numrin e infektimeve, ekipet mjekësore qenë në gjendje të ofronin kujdes më të madh për pacientët pozitivë. Çdo person që konfirmohet me virus, shtrohet në spital, edhe nëse është asimptomatik ose ka simptoma të lehta – një politikë që zvogëloi rrezikun e transmetimit të mëtejshëm lokal.

Fillimisht, vetëm dy laboratorë në Tajlandë kishin kapacitet për të testuar Covid-19, por numri është rritur në 250, tha për Guardian Dr. Supaporn Wacharapluesadee, zëvendësdrejtoresha e Qendrës së Shkencës së Shëndetit te Sëmundjet Infektive të Kryqit të Kuq. Një raport i OBSH-së për reagimin kundër-Covid të Tajlandës në korrik, deklaroi se shkalla e fatalitetit ishte rreth 1.7%.

Demografia dhe mjedisi gjithashtu kanë luajtur një rol të rëndësishëm. Obeziteti dhe faktorë të tjerë të mundshëm rreziku, si hipertensioni dhe diabeti, janë relativisht më pak të zakonshëm në Tajlandë sesa në shumë prej vendeve të goditura më keq nga koronavirusi.

Pavarësisht suksesit të menaxhimit të infeksioneve, pandemia ka rezultuar shkatërruese për ekonominë. Kufizimet e rrepta kanë bllokuar turizmin dhe miliona njerëz kanë humbur punën.

Kushdo që shkon në Tajlandë duhet të karantinohet në vendet e caktuara për 14 ditë dhe t’i nënshtrohet testeve të shumta të Covid. Shtetasit e huaj që duan të vizitojnë Tajlandën, duhet të aplikojnë për Vizë Turistike Speciale (STV). Dekreti i qeverisë përcaktoi se STV do t’u jepet vetëm udhëtarëve që vijnë nga vende me rrezik të ulët.