Extra “Më në fund je i lirë”! Matt LeBlanc dhe Courteney Cox reagojnë...

“Më në fund je i lirë”! Matt LeBlanc dhe Courteney Cox reagojnë për vdekjen e Matthew Perry-t

Matt LeBlanc dhe Courteney Cox i kanë bërë homazhe kolegut të tyre të ndjerë të “Friends”, Matthew Perry, duke ndarë momentet e preferuara me aktorin.

Më shumë se dy javë pas vdekjes së tij, LeBlanc postoi një mesazh prekës në Instagram.

Krahas fotove që shfaqin aktorët në rolet e tyre si Joey Tribbiani dhe Chandler Bing në “Friends”, LeBlanc, 56 vjeç, shkroi: “Matthew. Me zemër të lënduar të them lamtumirë.”

“Kohët që kemi kaluar së bashku janë sinqerisht ndër kohët e preferuara të jetës sime. Ishte nder të ndaja skenën me ty dhe të të quaja mikun tim. Unë gjithmonë do të qesh kur të mendoj për ty dhe nuk do të të harroj kurrë. Kurrë. Hapi krahët dhe fluturo vëlla, më në fund je i lirë. Shumë dashuri. Dhe ma merr mendja se po i mban 20 dollarët që më ke borxh.”

Cox ndau gjithashtu një nga momentet e saj të preferuara me aktorin e ndjerë.

“Jam shumë mirënjohëse për çdo moment që kam pasur me ty Matty dhe më mungon çdo ditë. Kur punoni me dikë aq afër sa unë me Matthew-n, ka mijëra momente që do të doja t’i ndaja. Tani për tani këtu është një nga të preferuarat e mia. Po them një histori të shkurtër: Chandler dhe Monica supozohet të kalonin thjesht një natë bashkë në Londër. Por për shkak të reagimit të publikut, u bë fillimi i historisë së tyre të dashurisë. Në këtë skenë, ai më pëshpëriti një fjali qesharake që unë ta thoja. Ai shpesh bënte gjëra të tilla. Ai ishte gallatë dhe i sjellshëm.”

Gjashtë anëtarët e “Friends” krijuan një miqësi të ngushtë gjatë 10 sezoneve të sitcom-it, i cili u shfaq premierë në vitin 1994.