Bota Mesdheu, Erdogani kërcënon Greqinë me “përvoja të dhimbshme”

Mesdheu, Erdogani kërcënon Greqinë me “përvoja të dhimbshme”

Presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdogan ka kërcënuar Greqinë me “përvoja të dhimbshme” nëse Athina nuk hyn në bisedime me Ankaranë rreth mosmarrëveshjeve për pretendimet territoriale në lindje të Mesdheut.

Dy shtetet kanë prej kohësh pretendime rreth së drejtës për të eksploruar dhe shfrytëzuar rezervat e naftës në zonën detare me Turqinë, e cila ka pasur kundërshti të ngjashme edhe me Qipron.

Të dyja palët pozicionuan forcat ajrore dhe detare për të zotëruar pretendimet e tyre në rajon.

“Ose ata [grekët] do ta kuptojnë me gjuhën e politikës dhe diplomacisë, ose në fushë me përvoja të dhimbshme”, u shpreh Presidenti turk Erdogan të shtunën.

“Ata kanë për ta kuptuar se Turqia ka fuqinë politike, ekonomike dhe ushtarake për t’i shqyer hartat dhe dokumentet e imponuara imorale,” – shtoi më tej Erdogan duke iu referuar zonave detare të shënjuara nga Greqia dhe Qiproja si zona ekskluzivisht të tyre për eksplorim dhe zhvillim ekonomik.

Shtypi lokal turk raportoi se 40 tanke po transportohen nga kufiri me Serbinë në Edirne, zonë kjo veriperëndimore e Turqisë. Megjithatë një zyrtar i ushtrisë citohej në anonimitet të thoshte se lëvizja e mjeteve ushtarake nuk kishte lidhje me tensionet me Greqinë.

Komentet e Erdoganit vijnë pasi Aleanca e Atlantikut të Veriut (NATO) deklaroi se Greqia dhe Turqia – të dyja anëtare të Aleancës, – kishin nisur bisedimet teknike në nivel përfaqësuesish ushtarak për të mënjanuar mundësitë e një konflikti apo incidenti të armatosur.

Turqia ka nisur të kryejë eksplorime në nëntokën e detit për rezerva hidrokarbure, mirëpo zona në fjalë pretendohet nga Greqia të jetë e saja.

Më 28 gusht tensionet mes Greqisë dhe Turqisë përshkallëzuan pasi Turqia nisi ekspedita të tjera ushtarake në zonë. Erdogan ka deklaruar shpesh se nga ana e Ankarasë është shprehur hapur vullneti për të dakordësuar një marrëveshje me Greqinë.

“Fjala jonë është e sinqertë, problemi është se ata që kemi përballë nuk i përfillin të drejtat tona dhe përpiqen të na nëpërkëmbin,” – është shprehur Erdogan.

Turqia po përballet me një oponencë të gjerë nga Bashkimi Evropian dhe shtete të tjera me ndikim në rajon rreth pretendimeve të saj në Mesdhe, ndërsa Greqia ka apeluar për mbështetje.

BE-ja, e cila mbështet shtetet anëtare si Greqia dhe Qiproja, ka kërcënuar gjithashtu me sanksione ndaj Ankarasë rreth aksioneve të saja të cilësuara si të paligjshme.

Kriza aktuale mes dy vendeve konsiderohet më seriozja në dhjetëvjeçarët e fundit. Dy vendet fqinje kanë pasur marrëdhënie të trazuara që prej viteve ’70.