Sport Messi fiton Topin e Artë për të tetën herë

Messi fiton Topin e Artë për të tetën herë

Lionel Messi është edhe zyrtarisht fitues i “Topit të Artë”. Në ceremoninë e zhvilluar në Paris, ylli argjentinas fitoi për herë të tetë trofeun prestigjioz, duke thelluar rekordin e tij të jashtëzakonshëm.

Një vlerësim që vjen pas triumfit në Botërorin 2022 në Katar. Messi kaloi finalistët e tjerë, De Bruyne, Mbappe dhe Haaland.

Triumfi në Botërorin e Katarit me Argjentinën ishte vendimtar teksa Lionel Messi udhëhoqi Albicelestet drejt titullit të tretë në histori. “Pleshti” fitoi kështu garën me konkurrentin e tij më të fortë Erling Haaland teksa norvegjezi ishte protagonisti kryesor në tre titujt e Manchester Cityt sezonin e kaluar, Premier League, Champions League dhe FA Cup.

Megjithatë, golat dhe trofetë nuk mjaftuan për të mposhtur Messin që tashmë thekson gjithnjë e më shumë emrin e tij me gërma të artë në historinë e futbollit me tetë Topa të Artë.

Ai bëhet gjithashtu edhe i pari fitues në histori që nuk luan në Europë, pas transferimit te Inter Majemi në Shtetet e Bashkuara.

Për sa i takon çmimeve të tjera të rëndësishme, Belingam u shpall “Lojtari i ri më i mirë”, Erling Haaland fitoi çmimin “Gerd Myler” si Sulmuesi më i mirë dhe Emiliano Martinez u shpall Portieri më i mirë.

Mançester Siti u vlerësua si klubi i sezonit për meshkuj, ndërsa Barcelona fitoi çmimin për femra. “Topi i artë” për femra u fitua nga Aitana Bonmati e skuadrës katalanase.