Politika Meta paralajmëron ndryshime: Partia e Lirisë nuk mund të jetë një forcë...

Meta paralajmëron ndryshime: Partia e Lirisë nuk mund të jetë një forcë me dy shoferë në timon

Në Konventën Kombëtare te 27 Prillit, Partia e Lirisë pritet të ketë ndryshime rrënjësore.

Këtë deklaroi Ilir Meta gjatë mbledhjes së kryesisë së partisë, ku paralajmëroi ndryshimin e statutit. Sipas tij një forcë politike nuk mund të drejtohet me dy shoferë, pasi siç tha dualizmi është shkatërrimtar.

“Mbi bazë të një statuti të ri, që do ta bëjë atë një fuqi shumë më të organizuar dhe efektive. Jo si deri më sot, por siç nuk ka qenë ndonjëherë, dhe siç duhet të jetë një parti e vërtetë, që të meritojë emrin Partia e Lirisë, dhe që t’i përgjigjet një regjimi mafioz, në mënyrën sa më demokratike, por dhe sa më të merituar. Do të ndërtoj këtë parti mbi baza krejt të reja, duke i dhënë fund njëherë e përgjithmonë nepotizmit në parti, në rini dhe në të gjithë strukturat tona.

Duke i dhënë fund njëherë e përgjithmonë mos mbajtjes së përgjegjësive, kakofonisë në drejtim dhe lënies hapësirë për alibi, për shfajësime për ta që nuk përmbushin detyrimet e tyre, dhe përgjegjësitë e tyre. kjo nuk mund të jetë një forcë politike me dy shoferë në timon, apo jo?

Dualizmi ishte shkatërrimtar për Partinë Demokratike, qoftë edhe si  perceptim, apo jo? Mosmbajtja e përgjegjësive! Pale kur futet dhe ndonjë dorë e tretë në timon, edhe asnjë nuk mban përgjegjësi për fatin e autobusit, profesor!”