Sport Milani ka shpërdoruar 467 milionë euro në 30 muaj

Milani ka shpërdoruar 467 milionë euro në 30 muaj

Milani ka një problem serioz administrimi. Janë shpenzuar shuma të mëdha dhe kriza vazhdon, madje po bëhet gjithmonë e më e thellë. Ndryshim trajnerësh, drejtuesish dhe qindra miliona euro të djegura në merkato në rreth 30 muaj. Vetëm fondi “Elliott” ka investuar gati 240 milionë euro, por te Milani gjithçka duhet bërë nga e para në këtë moment.

Dështim i vazhdueshëm i klubit kuqezi, që nuk po gjen paqe prej vitesh. Gjatë 30 muajve të fundit janë shpenzuar dhe shpërdoruar 467 milionë euro. Janë shpërdoruar, sepse jo vetëm që asgjë nuk është përmirësuar, por situata ka shkuar edhe më keq, edhe pse janë ndërruar disa trajnerë, administratorë, drejtorë sportivë dhe shumë e shumë lojtarë. Telashet janë ende të mëdha te Milani dhe duket shumë e vështirë një zgjidhje e shpejtë.

Milani, klubi i dytë pas Real Madridit për numrin e Kupave të Kampionëve të fituara, nuk merr pjesë në Champions League që prej sezonit 2013-2014. Trajneri i fundit që arriti ta kualifikonte Milanin në Champions është Masimiliano Alegri, i cili, pavarësisht largimit të Ibrahimoviçit, kishte ende kualitet në skuadër dhe një staf drejtues të konsoliduar që e mbështeste siç duhet. Prej atij viti gjithçka ka shkuar keq dhe thelbi i problemit është më shumë administrativ, përderisa shumat e shpenzuara janë relaitivisht të mëdha.

Situata aktuale është treguesi më i qartë se nga ana e drejtuesve të klubit kuqezi janë bërë shumë gabime. Janë marrë lojtarë që kanë kushtuar shumë, por që nuk i kanë sjellë asgjë të re Milanit. Është momenti për një ndryshim rrënjësor, mbi të gjitha duhen gjetur njerëzit e duhur për ringritjen e kuqezinjve.