Bota Ministrja gjermane e Mbrojtjes replikon me Macron: Pa SHBA-në, Europa nuk mbrohet...

Ministrja gjermane e Mbrojtjes replikon me Macron: Pa SHBA-në, Europa nuk mbrohet dot

Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Annegret Kramp-Karrenbauer, e përforcoi të martën pohimin e saj se Europa duhet të vazhdojë të mbështetet në garancitë e sigurisë amerikane, në një përgjigje ndaj kritikave të presidentit francez, Emmanuel Macron.

Kramp-Karrenbauer është përfshirë në një përplasje të pazakontë publike me Macron pasi ky i fundit, në një intervistë me “Le Grand Continent” botuar të hënën, e kritikoi atë për një artikull në POLITICO, në të cilin ajo kishte argumentuar se “Europa ende ka nevojë për Amerikën”.

Presidenti francez tha se ai nuk pajtohet kurrsesi me pozicionin e Kramp-Karrenbauer dhe e përshkroi argumentin e saj si “një keqinterpretim historik”, duke pretenduar se as kancelarja Angela Merkel nuk pajtohet as me të. Në një fjalim me temë politikën e sigurisë të martën, Kramp-Karrenbauer u përpoq të qetësonte tensionet duke thënë se ajo pajtohet me Macron se Europa duhet të bëjë më shumë për veten. “Vetëm nëse e marrim seriozisht sigurinë tonë, Amerika do të bëjë të njëjtën gjë. Presidenti francez sapo e deklaroi këtë. Dhe unë jam dakord me të”, tha ajo.

Megjithatë, ministrja e Mbrojtjes nuk u tërhoq në argumentin e saj thelbësor – këmbëngulja e saj se BE nuk ka zgjidhje tjetër veçse të varet nga SHBA si një partner i ngushtë. “Për një të ardhme të parashikueshme” SHBA do të mbetet “aleati më i rëndësishëm në politikën e sigurisë dhe mbrojtjes”, tha ajo.

“Pa aftësitë bërthamore dhe konvencionale të SBBA, Gjermania dhe Europa nuk mund të mbrojnë veten e tyre. Këto janë fakte kthjelluese”, shtoi ajo. Kramp-Karrenbauer përsëriti dhe mbrojti argumentet e ngritura gjatë një fjalimi të mëparshëm në tetor, në të cilin shprehej se “iluzionet e autonomisë strategjike europiane duhet të marrin fund” sepse “evropianët nuk do të jenë në gjendje të zëvendësojnë rolin thelbësor të Amerikës si një ofrues sigurie”.

Autonomia strategjike është një koncept i mbështetur nga Macron, i cili argumenton se BE-ja duhet të bëhet më e fuqishme në skenën botërore dhe më për të vepruar në mënyrë të pavarur në një gamë të gjerë fushash, nga operacionet ushtarake te politika industriale – veçanërisht pasi SHBA po zhvendos gjithnjë e më shumë fokusin e saj nga Evropa në Azi.