Kulturë MODELIM I SHOQËRISË SHQIPTARE

MODELIM I SHOQËRISË SHQIPTARE

Në një shoqëri të çalë ti lufton, lufton për dinjitet të nëpërkëmbur e për shpresa që i ruan fort në xhepin tënd të fëmijërisë. E prapë përpiqesh të arrish atë që ti e sheh të pamundur, të vrarë e të fshehur skutave të zyrave të qeverisë e pas dyerve që flasin me shëmtinë e drejtorëve e korrupsionin që po flet në emër të tyre.

-Është sekseri i të madhes, bashkëshorti i drejtoreshës tënde. Ndajnë lekët bashkë,- dëgjoj një zë që buçet nga pas i dhimbshëm e me sy të përlotur.

-Po ti? – i thashë. – Pse kaq shumë halle ky popull? Kaq vështirësi … dhe zëri im nuk tingëllonte më, as zëri i tij që përballë meje rrinte e mekej se fjalët nuk kishin më fuqinë e vet të dikurshme. E rrinim përballë, unë e ai, zëri i brendshëm që kishte luftuar deri tani me padrejtësitë e të pamundurën, me poshtërsinë e inatet, me të keqen e të pamoralshmen.

E vjen një çast që ti nuk mundesh më të kapësh atë që kishe … e kjo se diploma jote e fituar netëve pa gjumë për t’i shërbyer të ardhmes, nuk vlen më aq sa vlen diploma e blerë e drejtoreshës që bankave u zvarrit për të marrë një copë letër që i jepte mundësinë veç të punonte token.

-A të t’i pastroj këpucët? I paske të ndotura,- dhe ajo, zëvendësja e saj, që heshtazi e ka qerasur me kafenë e mëngjesit i rri në këmbë në pritje të urdhërit për tu ulur.

-Të heq nga puna, ty dhe të tjerët që nuk më ulen në gjunjë, – foli nën zë ajo që fuqinë ia ka dhënë pushteti e lekët sekseri që veç natën e ndan shtratin me të, se dita e gjen dhomave të errëta fshehur kushedi me kë, për të harxhuar ato që i ka fituar duke hequr nga puna njerëz që e urrejnë atë dhe të pashkollën që fati ia zgjodhi në jetën e tij .

-A do të të sjell diçka? Se ti po na mban në punë. Se lek nuk kam të të jap,… por dinjiteti im nuk ka ç’më duhet. Merre e shto dinjitetin tënd .- dhe përkulur shkon aty ku e ka vendin.

-Ja , unë po i vë emrin kësaj shoqërie. Duhet shëmti të jetosh, duhet servilizëm të punosh e duhet poshtërim që të ecësh në jetë. Duhet të mos flasësh kur kupton se unë po marr rryshfet e duhet të më shërbesh kur unë kam nevojë!

E së largu vlerat duket se i humb dhe një muzikë që deri dje të mbante zgjuar me melodinë e saj e fjalët të motivonin se e nesërmja do ishte më e bukur.

EDMIRA XHAFERI

Tiranë, 11 shkurt 2022