Kulturë Mungesa e Inva Mulës në TKOBAP dhe mospërmendja e prindërve të saj,...

Mungesa e Inva Mulës në TKOBAP dhe mospërmendja e prindërve të saj, flet Zana Çela

Mungesa e sopranos Inva Mula në mbrëmjet gala të Teatrit të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor (TKOBAP) me të ftuar specialë Plácido Domingo-n dhe Ermonela Jahon, në kuadër të rikonstruksionit të ndërtesës dhe 65-vjetorit të krijimit, shkaktoi debat në rrjet. Drejtoresha e përgjithshme e TKOBAP, Zana Çela, përmes një komenti në një artikull për rastin në fjalë, thekson se sopranos i janë dërguar ftesat.

“Silva, mikja ime e dashur, historia siç ne të gjithë e dimë, shkruhet mes faktesh dhe jo komentesh a fjalësh. Teatri i operas publikoi fotot e 3 ftesave përmes 3 emaileve, që drejtoresha artistike e teatrit tonë i ka dërguar Invës dhe ajo nuk është përgjigjur.”

Në lidhje me mospërmendjen e Avni dhe Nina Mulës në dokumentarin me titull “Rikonstruksioni”, Çela tha:

“Ndërsa përsa i përket fjalëve se prindërit e Invës, artistët e shquar Avni dhe Nina, nuk janë përmendur në dokumentarin me titull RIKONSTRUKSIONI, dua të të informoj që nëse e ke parë këtë dokumentar, do lexoje që në fillim të tij këtë frazën: Ky dokumentar nuk merr përsipër të tregojë historinë e teatrit të Operas, por RIKONSTRUKSIONIN. Dhe në fakt si mund të rrëfehet historia 65-vjeçare e një teatri në 30 minuta dokumentar sa ç’ishte kohëzgjatja e tij.”

Në intervistën e saj për Tiranapost, Inva Mula tha se “mospjesëmarrjen time si protagoniste në skenë do t’ua fal të gjithëve. S’ka gjë se unë kam akoma vite për ta rikuperuar, por që mos të flitet për Nina dhe Avni Mulën, këtë nuk e fal dot. Nuk e fal dot. Nuk është çështje falje, por e them me plot gojën që kjo më ka trishtuar shumë.”

Sopranoja, pa përmendur emra, u shpreh se do të donte që “teatri të udhëhiqej nga njerëz profesionistë”.