Sport Ndryshimi rrënjësor, zëvendësimi i përkohshëm mund të futet në futboll

Ndryshimi rrënjësor, zëvendësimi i përkohshëm mund të futet në futboll

Futbolli mund të pësojë një ndryshim rrënjësor së shpejti, pasi Bordi Ndërkombëtar i Federatave të Futbollit (IFAB) po mendon të miratojë një propozim që do të lejonte zëvendësimin e përkohshëm të lojtarëve, të cilët kanë nevojë për trajtim në kokë pas një përplasjeje.

Sipas “The Athletic”, bordi, që do të mblidhet më 23 tetor, do të diskutojë futjen e rregullit që skuadrat të kenë mundësi të zëvendësojnë një lojtar për 10 minuta, kohë e mjaftueshme që ekipi mjekësor të kuptojë nëse është në gjendje të vazhdojë të luajë apo jo, për ta rikthyer më pas në fushë, ose zëvendësuar plotësisht.

Sipas rregullit në fuqi, lojtarët me përplasje në kokë duhet të ekzaminohen për tre minuta nga stafi mjekësor, ndërsa brenda në fushë loja vazhdon rregullisht. Zgjatja e këtij harku kohor do të lejonte për një vlerësim më të mirë të gjendjes së lojtarit.

IFAB mendohet se do të caktojë një grup pune për të përcaktuar nëse këto  afate janë të pranueshme dhe i shërbejnë trajtimit të duhur të lojtarëve. Vendimi përfundimtar gjithsesi do të merret në mbledhjen zyrtare të dhjetorit të këtij viti.

Futbolli po përpiqet të marrë shembull nga regbia dhe futbolli amerikan, sporte në të cilat trajtimi i lojtarëve pas përplasjeve është shndërruar në prioritet për shkak të dëmtimeve që kanë ndodhur në të shkuarën.

Bordi Ndërkombëtar i Federatave të Futbollit është një organizatë që përcakton rregullat e lojës së futbollit. E krijuar në vitin 1886, IFAB ka luajtur rolin e “gardianit” të lojës, një detyrë që njihet edhe nga FIFA (themeluar në vitin 1904). Në bord marrin pjesë FIFA (që zotëron 50% të votave), Federata Angleze e Futbollit, Federata Skoceze e Futbollit, Federata Uellsiane e Futbollit dhe Federata e Futbollit të Irlandës së Veriut. Çdo vendim ndryshohet me mbi 50% të votave që do të thotë se mbështetja e FIFA-s është e domosdoshme, por edhe e pamjaftueshme, që një rregull i ri të futet në futboll