Bota Në Athinë e mohojnë: Nuk ka një variant “Deltacron”. Është një gabim...

Në Athinë e mohojnë: Nuk ka një variant “Deltacron”. Është një gabim teknik në laborator

Lajmi i dhënë nga autoritetet qipriote se me mundësi kanë zbuluar një variant të ri të Covid, një shartim mes Omicron dhe Deltës është përgënjeshtruar nga specialistët grekë të shëndetësisë.

Gkikas Magiorkinis, profesor në Universitetin e Mjekësisë në Athinë thotë se më shumë se një variant i ri, në rastin e të dhënave të bëra publike nga kolegët qipriotë është një gabim teknik laboratorik në leximin e gjeneve të virusit.

“Analiza e parë e pavarur tregon se nuk kemi të bëjmë me një miksim të Deltës me Omicron, por një gabim teknik në laborator në procesin e leximit të gjeneve”, shkruan Magiorkinis.

Duke cituar reagimin e të tjerë ekspertëve në rrjetet sociale, mjeku grek thotë se shartesa të cilit i referohen specialistët qipriotë nuk ka bazë shkencore që të qëndrojë.

Autoritetet qipriote deklaruan se kanë identifikuar të paktën 25 persona të infektuar me këtë formë të re të virusit. Por, ekspertë ndërkombëtarë hipotezojnë se ajo që në fakt kanë zbuluar shkencëtarët qipriotë janë raste të infektimi të njëkohshëm të pacientëve, si me Omicron, ashtu edhe me Delta dhe jo një variant i ri virusi.

Ndërkohë, në një studim tjetër, shkencëtarët francezë kanë arritur në përfundimin se Omicron është 105 për qind më shumë ngjitës se varianti Delta. Shifra e këtij studimi është thuajse dy herë më e lartë se parashikimet e deritanishme, që e çonin shkallën e përhapjes së këtij varianti deri në 70 për qind më të shpejtë se Delta.