Sport Nga Balotelli te lista e Europianit, Mancini komenton Italinë e tij

Nga Balotelli te lista e Europianit, Mancini komenton Italinë e tij

Italia do të luajë dy ndeshjet e radhës eliminatore të Euro 2020-ës ndaj Greqisë dhe Lihtenshtejnit, ku edhe mund të sigurojë kualifikimin në mënyrë të parakohshme, pasi deri tani numëron vetëm fitore në të gjithë takimet që ka zhvilluar.

Trajneri Roberto Mancini ka dalë në një konferencë për shtyp ku ka folur për Europianin, listën e futbollistëve dhe shumë detaje të tjera rreth kombëtares “axurre” që duket se ka rigjetur qetësinë e munguar në vitet e fundit.

Lista për Europianin: Ka futbollistë që mund të luajnë në disa role dhe në optikën e Europianit, kjo është diçka mjaft pozitive. Grupi pothuajse është formuar dhe mund të ndryshojnë vetëm 2 apo 3 futbollistë. Më pas nëse do të kemi ndonjë shpërthim, do të shohim, por kush do shkojë në Europian, është këtu në këtë grumbullim.

Balotelli: Fizikisht nuk është aq mirë, pasi sapo është rikthyer në fushë. Ndaj Napolit bëri mirë, por ka nevojë të luajë rregullisht për të gjetur formën më të mirë. Megjithatë kam folur edhe me të në telefon.

Aktivizimi i futbollistëve: Djemtë po luajnë të gjithë rregullisht dhe janë përmirësuar shumë në aspektin fizik dhe jo vetëm. Është një gjë mjaft e mirë kur futbollistët kanë minuta në këmbë dhe shpresoj që të vazhdojnë kështu deri në fund të sezonit, pasi kanë një marzh të lartë përmirësimi.

Mungesat: Do të bëjmë pa Sensin, Pellegrinin dhe Florenzin, që kanë qenë pjesë edhe e formacionit, por ndonjëherë është më mirë që dëmtimet të ndodhin tani, sesa në fund të sezonit, kur do të bëhemi gati për Europianin.

Castrovilli dhe De Rossi: Mesfushori i Fiorentinës po luan mjaft mirë dhe ka të dhëna shumë të mira si fizike, ashtu edhe teknike. E kam në vëzhgim rregullisht, ndaj shpresoj të vazhdojë kështu dhe të fitojë eksperiencë. De Rossi ishte i dëmtuar, por natyrisht që ashtu siç vepruam me Buffon, do t’i japim edhe atij një mundësi që të përshëndetet me publikun. E meriton për gjithë sa i ka dhënë futbollit italian.

Immobile dhe Belotti: Janë të dy në gjendje mjaft të mirë, por janë të ndryshëm për mënyrën se si e interpretojnë lojën dhe duhet t’i bëj të ngjajnë. Mund të bëjnë shumë punë kur kanë hapësira, por loja jonë bazohet mbi teknikën, ndaj duhet që të marrin pjesë më shumë në lojën e skuadrës.