Aktualitet Nga bizneset tek kandidimi për deputet, kush ishte Ardian Nikulaj që u...

Nga bizneset tek kandidimi për deputet, kush ishte Ardian Nikulaj që u ekzekutua në Lezhë

Ardian Nikulaj mbeti i vrarë këtë të mërkurë me armë zjarri. Ngjarja e rëndë ndodhi në Shëngjin në ambientet e lokalit të tij.

Autorët dyshohet se ishin dy dhe po lëviznin me motor, kur zbrazën breshëri plumbash ndaj 51-vjeçarit.

“Rreth orës 13:30, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri, në ambientet e lokalit të tij, shtetasi A. N. 50 vjeç, banues në Shëngjin. Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Janë ngritur pika kontrolli dhe është rrethuar zona ku vijojnë kontrollet për kapjen e autorit/ve. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen dhe dokumentin e plotë të ngjarjes”, tha Policia e Lezhës në një informacion paraprak për ngjarjen

Nikulaj ishte një figurë e njohur në zonë, pasi ishte biznesmen në fushën e hoteleri turizmit, por ka pasur edhe aktivitet politik. Ai ka qenë kandidat i Partisë SocialDemokrate në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021.

Ai ka qenë kandidati numër 1 në listën e Partisë SocialDemokrate për Lezhën ku ka marrë 97 vota.

Në formularin e dekriminalizimit që ka dërguar në KQZ asokohe, 51-vjeçari ka pohuar se është dënuar me 4 muaj burg për armëmbajtje pa leje më 24 Nëntor të vitit 2003 ndërsa 3 vite më vonë, më 1 Dhjetor 2006, me gjobë për falsifikim.

Pyetjes se a ka qenë ndonjëherë i ndaluar apo arrestuar nga organet ligjzbatuese për kryerjen e një vepre penale, Nikulaj i është përgjigjur me po, por nuk ka dhënë sqarime pasi ka shkruar “nuk më kujtohen detaje”.