Sport Nga Maldini te Champions-i, rekordet që synon të thyejë Bufon me rikthimin...

Nga Maldini te Champions-i, rekordet që synon të thyejë Bufon me rikthimin tek Juve

Ndonëse asnjë prej palëve nuk kërkon që të zyrtarizojë apo edhe të përgënjeshtrojë diçka për momentin, me një si Xhanluixhi Bufon nuk mund të përjashtosh asgjë. Prej më shumë se 20 vitesh, ai i ka mësuar sportdashësit me surpriza të shumta, prandaj edhe ky rikthim te Juventusi nuk do të ishte diçka e pamundur, e pabesueshme.

Por nëse do ta rishihnim edhe një herë tjetër me ngjyrat bardhezi, sigurisht që kënaqësia do të ishte e madhe, por në të njëjtën kohë edhe një sfidë e radhës për veteranin 41- vjeçar. Në këtë “episod” të dytë me “Zonjën e Vjetër”, ai do të kërkonte sigurisht që të thyente edhe disa rekorde që mund t’i tentojë ende, duke kujtuar se një prej atyre absolutëve të vendosur prej tij, është ajo e minutazhit më të gjatë historik në Serinë A i pathyeshmërisë, prej 974 minutash, i vendosur në sezonin 2015-2016.

Madje, Xhixhi Bufon numëron dy prej pesë minutazheve më të gjata të pathyeshmërisë në elitën e futbollit italian, por në të njëjtën kohë, ai mund t’i lejonte vetes një yll personal në kurrikulum. Një yll në fanellat e skuadrave italiane është i barasvlefshëm me 10 tituj kampionë, prandaj nëse Bufon kthehet te Juventusi dhe arrin që të shpallet kampion edhe në sezonin e ardhshëm, do të festonte “Scudetto”-n e 10 në karrierë dhe nuk po i llogarisim as dy kampionatet 2004-2005 dhe 2005- 2006, që i anuloi skandali “Calciopoli”.

Një tjetër rekord që portieri 41-vjeçar do të synonte, do të ishte edhe rekordi i prezencave të një legjende si Paolo Maldini në Serinë A. Ish-kapiteni kuqezi, në 25 vite karrierë numëron 647 ndeshje, ndërsa “gardiani” në 22 vite numëron vetëm 7 ndeshje më pak dhe sigurisht që pavarësisht se ai do të vinte në Torino si zëvendësues i Vojceh Sheznit, ky i fundit do ta kishte për nder që t’i dhuronte 8 ndeshje në kampionat, në mënyrë që ish-kapiteni i tij të bënte të vetin një tjetër rekord historik.

Gjithsesi, nuk mbarojnë këtu… Nëse ai kthehet te Juventusi dhe me moshën aktuale prej 41 vitesh e 210 ditësh, do të bëhej gjithashtu një mes pesë lojtarëve më të moshuar në aktivitet mes 20 skuadrave më të mira të Serisë A, ndonëse objektivi i vërtetë dhe ai i vetëm që i mundon është një fiksim i madh… Champions-i, ajo kupa e “mallkuar” me veshët e mëdhenj… Dhe pse jo, duke u shtyrë edhe pak më tej me fantazinë, në rast të një rikthimi dhe akoma më shumë, në rast të një arritjeje të Juventusit në finalen europiane më të rëndësishme për klube, sikur Bufon të kishte mundësinë që të luante qoftë edhe një minutë të vetme të asaj sfide, do të shndërrohej në portierin më të moshuar të të gjitha kohërave që do të luante në një finale Champions-i, duke thyer kështu rekordin absolut të një tjetër ikone juventine, si Dino Xof, që mbron këtë arritje me moshën 41 vite e 86 ditë. Shkurt dhe qartë, nga Bufoni dhe Juventusi, mund të pritet gjithçka dhe nuk mund të përgënjeshtrohet gjë…