Ekonomi Nis punë linja 400 KV Shqipëri-Kosovë, Rama: Ky është Shengeni Rajonal

Nis punë linja 400 KV Shqipëri-Kosovë, Rama: Ky është Shengeni Rajonal

10 vite nga marrja e borxhit, linja e transmetimit Shqipëri-Kosovë nisi punën. Përfundimi i saj u zvarrit për shkak të vetos serbe që donte ta përfshinte këtë çështje në procesin e dialogut Prishtinë- Beograd.

“Fundi i kësaj historie përmes shtypjes së një butoni të vetëm, i jep jetë sot një hapësire të përbashkët të integruar energjetike mbarë shqiptare. Një hapësirë e pavarur, në një treg sigurisht më të gjerë rajonal, që njëherazi është dhe një hallkë themelore e një sistemi edhe më të madh e të gjerë, siç është sistemi mbarë evropian i transmetimit të energjisë. Vënia në operim e linjës 400kV do të sjellë një impakt të jashtëzakonshëm pozitiv në sigurinë e operimit të sistemit elektroenergjitik shqiptar dhe njëkohësisht do të rrisë konsiderueshëm kapacitetin e rrjetit interkonektiv të OST”, tha Rama.

Kjo dite shënon po ashtu dhe nisjen e operimit të pavarur të Kosovës, si Zonë Rregulluese brenda Bllokut Shqipëri-Kosovë, e qe për kryeministrin Rama kjo nuk sjellë gjë tjetër por pikërisht atë çka synon Shengeni Ballkanik, ku Kosova ende nuk ka vendosur të marrë pjesë.

“E përsëris, ky është Shengeni Rajonal. Kështu zgjidhen problemet që kanë një rëndësi shumë të madhe dhe që mbeten peng i fjalëve të mëdha, i sherreve të mëdha, dhe i grandomanisë që rëndom i ka penguar shqiptarët të shohin përtej hundës së tyre.

E pra, ne arritëm që pikërisht, duke hapur rrugën e një ndërveprimi në rajon dhe që duke njehsuar qasjen dhe me ndihmën e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara për sa i përket të ardhmes së këtij rajoni, ta heqim atë veto dhe te marrim mbrapsht pikërisht këtë për të cilën sot jemi mbledhur, hapjen dhe vënien në funksion të këtij projekti, që siç e thoshte dhe paraardhësi im, është një prej projekteve më të mëdha në historinë e dy vendeve, unë them shteteve tona se jemi 1 vend me dy shtete”, shtoi ai.

Linja 400 kilovolt Shqipëri-Kosovë, ka një shtrirje në një gjatësi totale prej 241.1 kilometrave, nga të cilat 151.1 kilometra shtrihen në territorin e Shqipërisë dhe 90 kilometra në territorin e Kosovës, ka kushtuar 75.5 milionë Euro.