Kryesore COVID-19, mjekja në Gjermani: Mjekët e familjes në Shqipëri po japin ilaçet...

COVID-19, mjekja në Gjermani: Mjekët e familjes në Shqipëri po japin ilaçet e gabuara

Aurora Meta Dollenberg

Në një intervistë për Euronews Albania, mjekja specialiste e mjekësisë familjare dhe urgjencës, Aurora Meta Dollenberg tregoi se ishte domosdoshmëri për Gjermaninë që të izolohej.

Pyetur nga gazetarja Bruna Çifligu nëse përdorimi i antibiotikëve të gjeneratës së katërt është një gabim fatal që po bën popullsia shqiptare mjekja pohoi duke theksuar se çdo ditë po bëhen gabime të mëdha me dhënien e ilaçeve në Shqipëri.

“Në Shqipëri po ndodh një përmbysje e këshillimeve që jep OBSH-ja dhe vendet e tjera europiane, jo vetëm për xhepin e pacientëve por në radhë të parë për shëndetin e tyre në përkeqësim,” – tha Meta Dollenberg.

Ajo tregoi se ka informacione se mjekët e familjes po japin menjëherë ilaçet e gabuara.

“Nëse pacienti të vjen me shenja të infeksioni nuk do të thotë automatikisht që janë bakteret që e kanë shkaktuar, por në rastin më të madh, siç dihet në periudhën e dimrit janë këto gripet sezonale,” – tregoi mjekja.

Ajo çfarë këshillohet për një pacient që ka simptoma të COVID-19, por jo aq të rënda sa për t’u paraqitur në spital, do të këshillonim një kombinim të vitaminave C, D dhe zink.

Mjekia rekomandoi gjithashtu lëngjet të paktën 3 litra në ditë dhe regjim shtrati.

“Çdo rast është specifik kështu që duhet të kemi kujdes me mjekimin që japim,” – tregoi Aurora Meta Dollenberg teksa theksoi se shenja të caktuara nuk kanë po të njëjtin mjekim te çdo individ.

Ajo tregoi se masat e rrepta të marra fillimisht kanë ndikuar në mbajtjen konstant të numrit të të prekurve nga COVID-19, por sidoqoftë duket se koronavirusi ka marrë tipare më agresive në Gjermani.