Extra Një histori e mamive, infermiereve dhe gjinekologëve të rrethit të Tepelenës

Një histori e mamive, infermiereve dhe gjinekologëve të rrethit të Tepelenës

Memaliaj: Në qendër, Dr. Çerçiz N. Myftari me kolektivin e spitalit që shërbenin në vitet 1980.

Dhurimi i jetës, që nga ngjizja në tempullin trupor, e deri në ardhjen në jetë të fëmijës, trashëgimi ndër breza dhe në vazhdim, është dhuratë nga krijuesi, Zoti.

Dihet lindja, që nga zanafilla, lashtësia e deri në ditët e sotme, kanë kaluar nga njohuritë dhe kushtet rrethanore, nga më primitivet deri në ditët e sotme falë përvojave ndërkohë, të cilat ndihmuan këtë fushë të mjekësisë.

Historikisht dhe logjikisht, mamitë e para kanë qenë nënat dhe gjyshet, të cilat ishin si engjëjt që ndihmonin, nuset dhe vajzat e tyre, për të bërë lindje të shëndetshme dhe të mbrojtura për jetën e të dy palëve, në çdo vend dhe rrethanë.

Logjika të çon se nga eksperiencat e shumta filluan dhe të identifikoheshin natyrshëm individët me më shumë përvojë, që kishin fituar siguri edhe besimin në komunitet dhe shoqëri të ndryshme. Si e tillë, ata që ishin mjekë dhe me të ardhura të mira, menduan që të hapnin një qendër shëndetësore me shtretër, të cilën e quajtën spital, ku aty filluan që të bëheshin edhe lindjet. Pak më vonë e quajtën maternitet. E para në botë, u hapë në Londër në vitin 1739. Kjo ishte e vogël dhe e para, për një shërbim të kufizuar lokalë, ndërsa e dyta u hapë në vitin 1749 në Dublin, kryeqytetin e Irlandës. Hapja e një numri të madh të tyre në Britani u bë në mesin e shekullit 18-të, me mjekë meshkuj, pasi femrat u lejuan të studionin për mjeke, vetëm pas vitit 1870.

Më pas filluan të hapeshin në gjithë Europën. Në Shqipëri, “Shtëpia e Nënës dhe Fëmijës”, (OMNI- Opera Nazionale di Maternita e Infanzia), filloi hedhjen e themeleve në fund të vitit 1938 dhe përfundoi së ndërtuari, në fund të muajit nëntor të vitit 1942. Materniteti u ndërtua nga firma italiane “Motta Scandurra” me arkitekt Tito Chiomi. Në Shqipëri njihej si “Spitali Universitar Obstetrik – Gjinekologjik”, më vonë “Mbretëresha Geraldinë”. Përgjatë sistemit të kaluar i hiqet emri dhe i rikthehet më 8 dhjetor 2004, me urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë.

Pas Çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë, u hapën edhe nëpër rrethe të tjera, ku midis tyre përfshihet edhe ajo e qytetit të Tepelenës, Memaliajt dhe në disa fshatra të rrethit.

Emrat e mjekëve gjinekologë, mamive dhe infermierëve që kanë punuar në këto maternitete janë:

Mamia e para në qytetin e Tepelenës, kanë qenë, Diamanta Skëndi, Filanthi nga Gjirokastra, Vjollca Shehu, Naime Shehu, Valentina Leskaj, Engjullushe Laze, Miranda Kërpi, Margarita Dalani dhe Ningjare Kalemi. Ndërsa mamitë, Elveti Saka (Hada), Manushaqe Isaraj dhe Hanko Hyseni, kanë mbaruar studimet për mami-infermeri, në qytetin e Korçës. Të tjera që kanë ushtruar profesionin e mamisë janë: Miranda Kërpi, Anife Zhegaj (Osmani), Dyshe Shena, Refie Saka (infermiere), Qazime Lushaj, Hamide Kalemi, Thëllëza Malaj (Ilirjani), Mimoza Seiti, Najada Çela, Valentina Gjoni, Anita Dervishi (infermiere neonate), Aksije Imeri (infermiere), Efigjeni Kopali (infermiere), Mimoza Gumeni (Mihasi), Irena Shehu (Gumeni), Dylbere Durmishi (në lavanteri), Ollga Zhonga, Garentina Imeri, Drita Hoxha, Donika Mërtiri, Mimoza Hoxha (Bana), Mimoza Hoxha (Bana), Kanushe Skëndi, Shpresa Çela, Miro Rusto (portiere e maternitetit), Pëllumbesha Jaupi (Beshiku), Fatmira Ruçi, Rabie Kamberi, Natasha Tahiri, Dhurata Lola (Çuedari), Stoli Zemani, Shpresa Çela, Agathi Zoto, Alidie Llanaj, Piro Dhima, Lumturi Llanaj, Aksija Imeri, Eleni Ymerali dhe Laureta Suli (Meta), e cila ka punuar mami dhe infermiere. Tefta Pulashi, ka punuar si instrumentiste në sallën e operacionit. Hanushe Caushi ka punuar mami në qytetet Memaliaj dhe Tepelenë, ndërsa bashkëshorti i saj, Faik Caushi, ka punuar infermier në të dy këto qytete.

Tepelenë: Elveti Hada, Manushaqe Isaraj dhe Hanko Hyseni, të cilat kane studiuar për mami-infermieri ne Korçë dhe kanë punuar në maternitetin e qytetit të Tepelenës.

Xhemali Koçi ka punuar kirurg dhe bashkëshortja e tij, Vana Koçi, ka punuar obstetër dhe gjinekologe, e cila është e para në rrethin e Tepelenës, në profesionin e saj. Mjekë gjinekologë të tjerë kanë shërbyer, Dr. Asqeri Guma dhe bashkëshortja e tij, Dr. Tajbe Guma, Dr. Skënder Pogoni, Dr. Vezir Tena dhe Dr. Komuniste Balili, e cila ka punuar mami dhe më pas mjeke.

Afërdita Cena, Vjollca Shehu, Manushaqe Hyseni dhe Shega Hyseni, kanë punuar në konsultoren e fëmijëve.

Janë të shumta dhe komentet e pasura me informacione, që kanë ndihmuar për të plotësuar këtë shkrim, të cilat po i sjell si më poshtë:

Diamanta Skëndi, në kohën kur studionte në shkolle për mami.

Donika Rapi: “Diamanta Skëndi, një nga mamitë e para në Tepelenë dhe një zonjë e vërtetë, si njeri e në profesion. Në Spitalin e Tepelenës, ka punuar edhe motra ime, Tefta Pulashi si instrumentiste në sallën e operimit të lindjeve me operacion, e cila ka punuar një jetë të tërë dhe e përkushtuar në punën e saj!”

Zare Osmani: “Tepelena është vendbanim i hershëm. Spital dhe maternitet, ka patur gjatë gjithë kohës. E para qendër shëndetësore, spital e maternitet, të dyja së bashku, kanë qenë në një godinë të vjetër dykatëshe. Në katin e parë, kanë qenë zyrat e shëndetësisë dhe kati dytë ka shërbyer si spital dhe maternitet, derisa u bë materniteti i parë me godinë më vete. Nuk më kujtohet viti i saktë, por mund të kenë qenë vitet 1956-57. Mami në qytetin tonë, kanë punuar: Thëllëza Ilirjani (Malaj), Anife Osmani, Dyshe Shena, Tefta Pulashi (jepte instrumenta), Refie Saka (infermiere), Qazime Lushaj. Hamide Kalemi, Manushaqe Isaraj (konsultore), Shega Hyseni (konsultore), Ollga Zhonga (mami), Efigjeni Kopali (infermiere), …etj. Në vitet 1954-55, mamia e parë në Tepelenë, ka qenë një me emrin, Filanthi, por nuk më kujtohet mbiemri i saj dhe nuk jam e sigurt se ishte nga Gjirokastra apo nga Saranda. Ndërsa Xhemali Koçi ka punuar kirurg me bashkëshorten e tij, Vana Koçi obstetër-gjinekologe, pa harruar edhe çiftin gjinekologë, Asqeri Guma (dhe doktor neonate, për fëmijët e porsalindur nga 01 deri në 07 ditësh) dhe Tajbe Guma (gjinekologe dhe neonante). Për Diamanta Skëndin, nuk e mbaj mend saktësisht vitin, se kur ka ardhur dhe kur ka filluar punë si mami, në maternitetin e Tepelenës. Ajo ka punuar me përkushtim të madhë dhe për punë të mirë, e emëruan Shefe të Seksionit të Shëndetësisë në Komitetin Ekzekutiv të rrethit. Fatmira Ruçi, ka punuar me shumë dashuri në profesionin e saj. Të gjitha këto punonjëse, nuk kurseheshin, por u përgjigjeshin në çdo moment të 24-orëshit, në shi, erë, borë dhe tufan. Gjithashtu edhe mjekët që ishin roje, ishin të papërtuar dhe shkonin me këmbë te i sëmuri, pavarësisht kushteve të motit, si ditën dher natën. Dr. Ohise Ruçi, ka punuar pediatër dhe më vonë, Shefi i Seksionit të Shëndetësisë për rrethin e Tepelenës, ndërsa bashkëshortja e tij, Ermioni Ruçi, ka punuar farmaciste. Të gjithë këta, punonin me përkushtim dhe humanizëm, jashtëzakonisht të madh.”

Dituri Hila (Malaj): “Çifti gjinekologë, Asqeri e Tajbe Guma, të cilët ishin shumë profesionistë dhe të gjendur në çdo orë, edhe të natës, me një gjumë si lepuri, sa herë që do kish lindje! Nuk e harroj një rast të mjeke Tajbes, e cila merrej me fëmijët e sapolindur, ku fëmija ishte 1350 gram dhe ajo mundi për atë kohë e kushte, që ta shpëtonte me sukses!”

Mariana Alushi: “Në maternitetin e qytetit të Tepelenës, kanë punuar mami, Diamanta Skëndo, Vjollca Shehu dhe Valentina Leskaj. Kjo e fundit, pas martesës, kreu universitetin në ekonomi politikë në Tiranë, punoi tek BGSH-ja, më pas Ministre e Punës dhe Çeshtjeve Sociale si dhe deputete në Kuvend, deri në 2017. Ndërsa Diamanta Skëndo, ndër të parat mami në rrethin e Tepelenës, e cila ishte e papërtuar, natën dhe ditën nëpër familje, pa asnjë incident, e aftë, e shkathët, kurajoze dhe ka asistuar gjithë lindjet e Tepelenës. Vjollca Shehu ka ardhur pothuajse, fëmijë në Tepelenë, në se nuk gaboj nga Tropoja dhe është gjysma tjetër e Diamantës, Vjollca Shehu, u bë njësh me Tepelenën. Këto mami përballuan fluksin e shtimit të qytetit, në nivel mjekësh, pa ndodhur asnjë fatkeqësi. Siamezet e kudogjendura. Të treja, ishin të lindura për atë profesion!”

Irena Shehu: “Duke parë që po mblidhen të dhëna për këtë shkrimin dokumentar, i cili i përkushtohet këtyre engjëjve, me modesti dua të përmend me krenari edhe mamanë time, Vjollca Shehu. Ajo vinte nga Tropoja në Tepelenë. Në moshën 18-vjeçare, menjëherë sa përfundoi Politeknikumin në Tiranë për mjeke-mami, e emëruan në Tepelenë, ku u njohë me tim at, Dr. Eqerem Shehu. Që në këtë moshë të vogël ka punuar me përkushtim, e cila bashkë me kolegët e saj, ka mbajtur në këmbë sektorin e obsetri-gjinekologji. Ishte e vetmja asokohe e specializuar në këtë fushë, qysh nga vitit 1963 dhe në vazhdim. Për aq sa mbaj mend për brezin tim, në fillim, shërbimet kryheshin në maternitetin tek spitali i vjetër, poshtë në fushën e Majkoshit, tek “Mulliri i Liles”, siç e njohim të gjithë, ku sot është qendra e trajtimit të fëmijëve që drejtohej nga humanisti, Gjon Dervishi në bashkëpunim me një fondacion hollandez. Nëna ime ngeli jetime, që në moshën 6-muajshe dhe është rritur në konvikt, pasi babai i saj, Selim Bardheci ra dëshmor, në luftën për Çlirimin e vendit nga pushtuesit nazifashistë. Ajo punonte me një përkushtim të madh. Ishte e vetmja për fillimet asokohe në Tepelenë, që kishte mbaruar katërvjeçaren, ku nxënëset e saj, Valentina Leskaj, Naime Shehu, Engjëllushe Laze …etj, kanë mbaruar kursin për infermieri, në qytetin e Tepelenës, ku diplomat e tyre mbajnë firmën e mamasë time, si drejtoreshë e kohës së atij institucioni. Deri sa doli në pension, ka punuar në konsultoren e grave, në poliklinikën Nr.9 të Tiranës.”

Entela Ilirjani: “Në fëmijërinë time, më kujtohet që shumë herë vinin njerëz në mes të natës, ku trokisnin tek porta dhe kërkonin maman time. Ajo zgjohej nga gjumi, hapte portën dhe dëgjonte bashkëqytetarët t’i thonin: “Aman o Thëllëza Ilirjani, … se po më lind nusja, vajza e gruaja …etj.” Asnjë fëmijë nuk ka humbur jetën, kur ajo i ka pritur lindjet. Ashtu si mamaja ime dhe shumë nga mamitë e tjera, në diplomën e tyre është firma e Vjollca Shehut, si instruktore dhe drejtoreshë e shkollës, që u hapë në Tepelenë. Dashurinë për mjekësin, ma ka rrënjosur edhe mua, që në moshë të vogël dhe sot në Amerikë, vazhdoj rrugën dhe hobin e saj, mjekësinë dhe këngën.”

Zoica Ceka (Gjoka): “Edhe tezja ime, Refije Saka, e cila ka qenë infermiere shembullore dhe një mjeshtre për (latantet) fëmijët e porsalindur. Në maternitet, kanë punuar edhe kolegët dhe shoqet e saj si, Dyshe Shena, Anife Osmani, Qazime Lushaj, Aksinja Imeri, Ollga Zhonga dhe Piro Dhima me origjinë nga Mezhgorani dhe banonte në Tepelenë.”

Ismete Cacaj (Hasimi): “Tek spitali i vjetër në Tepelenë, kanë punuar Miranda Kërpi, Garentina Imeri, Drita Hoxha (motra e Resmiut), Donika Jonuzi (Mërtiri)(vajza e Margaritës që shiste bukë) dhe Diamanta Skëndi, e cila ka qenë përgjegjëse. Këto emra i përkasin vitit 1968-të.”

Anita Ruçi (Papa): “Kush është lindur nga viti 1972 dhe deri në moshat e 45-50 vjeçarët e sotëm dhe më tej, duhet të dinë se gjithë brezi i mamive dhe i mjekëve të atyre viteve, kanë dhënë përkushtim, dashuri e humanizëm të rrallë për të ndihmuar të vinë në jetë, brezat e sotëm, që në kulmin e rinisë së tyre, shkruan histori duke u përpjekur në kushte të vështira! Bukuria e atij profesioni, shoqëroi dhe nënën time, Fatmira Ruçi. E kam për nder të përmend edhe unë, si bija e saj, pasi edhe nëna ime është një prej atyre, që vuri gurin e saj, në historinë e qytetit tonë të dashur Tepelenë.”

Elba Skëndi (Rukaj): “Mamia e parë në Tepelenë dhe në gjithë rrethin, është mamaja ime, Diamanta Koço Skëndi, e cila ka mbaruar shkollën 2-vjeçare me shkollën e suorave italiane. Këtë shkollë, e filloi në vitin 1944 dhe e përfundoi në vitin 1946, në Tiranë. Në vitin 1955-ë, ajo ka hapur maternitetin e parë në qytetin e Tepelenës, me forcat e veta dhe sot gëzonë vlerësimin që i kanë bërë “Qytetare Nderi e Qytetit të Tepelenës”, si mamia e parë! Për këtë kanë dëshmuar edhe Lufter Xhuveli (mjekë), Najme Shehu (mami), Mine Hadëri (mjeke), …etj. Nga përvoja dhe njohuritë që kishte, ajo kryente edhe profesionin e mjekut në këtë maternitet, pasi në atë kohë, nuk kishte kush ta mbulonte këtë sektor shëndetësie. Prej të dhënave të saj, ajo tregon se u ka vendosur emrin e shumë bebeve, që ka pritur të vinë në jetë.”

Ana Ruçi (Haxhua): “Diamanta Skëndi, është e para mami në Tepelenë, e cila ka ngritur edhe maternitetin e parë në këtë qytet, që i shërbente gjithë rrethit tonë. Ndërsa Dr. Xhemali Koçi dhe bashkëshortja e tij, Dr. Vana Koçi, kanë ardhur vite më vonë, por Diamanta është e para mami.”

Yllka Pulashi: “Mamaja ime, Tefta Pulashi ka punuar infermiere në sallën e operacioneve në spital me një sërë mjekësh të nderuar. Ajo ka punuar gjithashtu edhe në sallën e operimit për lindjet cezariane!”

Dituri Hila (Mala): “Vjollca Shehu, ka punuar mami dhe ka merita akoma më të mëdha edhe si drejtuese e çdo shkolle. Fillimisht, ishte trevjeçare e më vonë njëvjeçare me bazë shkollën e mesme për infermieri-mami, në rrethin e Tepelenës.

Më është dhënë mundësia ta njohë nga afër dhe të vlerësoj përkushtimin dhe kujdesin, që tregonte për nënat dhe fëmijët! Gjinekologë, kanë punuar, çifti Asqeri dhe Tajbe Guma, të cilët ishin shumë profesionistë dhe të gjendur në çdo orë, si të ditës edhe ato të natës. Ata e bënin gjumin si të lepurit, sa herë që do kishte lindje! Nuk e harroj një rast të Dr. Tajbes, e cila merrej me fëmijët e sapolindur, ku fëmija ishte 1350 gram dhe për atë kohë e kushte, ajo mundi ta shpëtonte me suksesë!”

Kujtim Raci: “Materniteti i parë në Tepelenë, ka qenë në qendër të qytetit, nën shtëpinë e oficerëve, përballë godinës së partive politike. Mamia e parë ka qenë, Diamanta Skëndi.”

Kastriot Daci: “Në fillim, “Shtëpia e Lindjes”, ka qenë ku është posta sot dhe ngjitur me shtëpinë e tepelenasit, Kujtim Gjyli. Përpara kësaj godine ka qenë Çezma e Pipinës, rrobaqepëses italiane dhe mamia e parë në këtë maternitet, ka qenë, Diamanta Skëndi, Në të majtë, ka qenë një bllok shtëpish me shumë familje, që i kujtoj që të gjithë, pasi aty banonim edhe vetë. Dr. Xhemali Koçi me bashkëshorten e tij, Dr. Vana Koçi, kanë ardhur më vonë.”

Arben Luzi: “Materniteti i parë, ka qenë përpara portës së shtëpisë së Kasëm Gjylit dhe portës së Pipinës (italianes). Ka qenë një godinë trekatëshe, e cila nga krahu jugore kishte çezmën, të cilën e njohim si “Çezma e Hysnies”, ndërsa nga krahu lindorë ishte kalaja dhe nga krahu veriorë, kishte lulishten. Kjo godinë u prish, aty rreth viteve 1970-të, kur në furrë të bukës punonte xha Haki Ligaçi.”

Dr. Seit Liça: “Më i saktë, është Kujtim Raçi. Materniteti, të cilën në atë kohë e quanim “Shtëpia e Lindjes”, vizitat dhe një minispital, kanë qenë poshtë ish “Shtëpisë së Oficerëve”, ku është sot kioska e gazetave dhe posta, në krah të ish furrës së bukës dhe shtëpisë së Pipinos (një grua italiane). Më pas, u ndërtua spitali në fushë tek Lila dhe kur u hap kirurgjia nga Dr. Kafaz Xhuveli, materniteti u shpërngul tek “Përralli” dhe pastaj, u ndërtua materniteti i ri, sot konvikt.”

Dr. Izet Çulli: “Më të saktë janë, Kujtim Raci dhe Dr. Seiti, i cili është doktor i viteve 1950 të shekullit XX. Asokohe, shërbente Dr. Spiro Buda. E shoqja e tij, quhej Jeta Buda, e cila ishte mësuesja ime në 7-vjeçaren e qytetit të Tepelenës. Më pas, që të dy shkuan me punë në Fier, ku e mbyllën karrierën mjekësore e pedagogjike në atë qytet. Dr. Spirua është ndarë nga kjo jetë.”

Ramiz Mamaj: “Shtëpia e parë e lindjes, ka qenë aty ku është PTT-ja. Shprehem për vitin 1957, pasi aty ka punuar mami, Vakua nga fshati Dukaj. Kjo është e saktë, pasi aty u lind vëllai im, Hyseni.”

Me kohën, po rritej edhe popullsia, ku lindjet ishin më të shumta dhe si e tillë, lindi nevoja për hapjen e një shkolle për mami-infermieri, në qytetin e Tepelenës. Të gjithë studentët e kësaj shkolle, që u diplomuan për mami-infermieri, u emëruan në maternitetin e qytetit të Tepelenës dhe nëpër disa nga fshatrat e rrethit tonë. Historikun e kësaj shkolle, mund ta përshkruaj edhe me një paragraf, por për të qenë më autentik, po e përcjell me anë të rrëfimeve të tepelenasve, që përgjatë përmbajtjeve të tyre, kuptohet natyrshëm zanafilla dhe ecuria e saj. Secili nga rrëfyesit, sjell periudhën që ata kanë punuar dhe përjetuar, duke bërë të mundur, paraqitjen e një historiku, disi më të plotësuar. Në vazhdim, do të lexoni rrëfimet e tyre, të cilat janë:

Gjena Gjonaj (Dauti): “Ajo shkollë, filloi në shtator të vitit 1968 dhe mbaroi në qershor të vitit 1971, ku studiova edhe unë. Mësim na jepnin: Odhise Dhuli,

Halim Poda, Kafaz Xhuveli, Muharrem Saliu, Vjollca Shehu, Enver farmacisti, Faik Deda e të tjerë, që nuk më kujtohen për momentin.”

Lindita Kanushi: “Kursi njëvjeçar, është zhvilluar në vitet 1985-1986 dhe drejtohej nga Vjollca Shehu. Mësim na jepnin, Dr. Izet Çulli, Dr. Agur Llanaj,

Dr. Xhafer Ruçi, Dr. Zane Varfi, Dr. Asqeri Guma, farmacisti Sazan Çeliku, Dr. Shyqyri Lianaj, Dr. Ylli Kërçani, …etj. ”

Majftoni Mema: “Në kursin njëvjeçar në vitet 1981-1982, jepnin mësim: kirurgu Xhemali Koçi, Dr. Xhafer Ruçi, Dr. Seit Liçi, Dr. Vana Koçi, Dr. Faik Deda, Dr. Agu Llanaj, farmacisti Sazan Çeliku, Dr. Xhafer Majko, Dr. Izet Çulli, Natasha Majko dhe drejtoresh shkolle asokohe, ka qenë Vjollca Shehu (mami).

Perlat Shehu: “Kursi i parë është çelur në vitin 1968. Më duket se ka qenë, dy apo trevjeçar.”

Vito Kasneci: “Shkolla e parë për mami-infermieri, u hap në 1968 deri 1971. Mësim në këtë shkollë kanë dhënë mjekët: Kafaz Xhuveli, Irfan Ceka, Niko Mano, Enver Guga, Halim Poda, Kilo Stoja, Faik Deda. Drejtoresh ka qenë, Vjollca Shehu (mami).”

Robert Gjyli: “Në vitin 1987, kursi ishte njëvjeçar.”

Remzi Kalemi: “Lidhur me kursin për infermiere-mami në Tepelenë, ndoshta ka pasur disa herë, por në vitet 1986-1988, ka qenë një kurs 2-vjeçar, i organizuar nga Seksioni Shëndetësisë të Tepelenës, ku gruaja ime, Shpëtime Kalemi me profesion mjeke, por edhe zëvendës Shefe e Seksionit të Shëndetësisë të Komiteti Ekzekutiv Tepelenë, është marrë me organizimin e këtij kursi. Mësim, jepnin mjekët e spitalit Tepelenë. Në këtë kurs, krahas lëndëve mjekësore,  jepej një cikël leksionesh për filozofinë e kohës. Këtë cikël e kam dhënë unë, Remzi Kalemi dhe mësuesi, Vasil Banka. Kursi zhvillohej, tek Qendra Sanitare Tepelenë.”

Ndërsa për mamitë, infermierët dhe mjekët që kanë punuar nëpër fshatra, janë:

Në Lekël, mami ka punuar Valentina Leskaj dhe infermiere Kalopi Shumeli; Rexhin: Bukuri Hoda; Nivicë: Lumturi Tota (Ruçi), Razie Matuka (Skëndi) ka punuar gjinekologe; Iliras: Flutura Manaj; Dukaj: Nesllije Islami (Cana) Vakua; Turan: Sado Ruka (Muça), ka punuar infermiere dhe mami, Esma Liçi (Muça); Kashisht: Floresha Muçobega (Memlika), Avni Muçobega; Amanikaj: Fatmira Çela; Kalivaç: Kadrie Xhaferi, Drita Rama dhe Xhevaire Barjami; Qeserat: Naile Zeqaj; Peshtan: Mami dhe infermier kanë punuar Vojda Halili dhe Piro Dhima, ndërsa Besim Rroshi ka punuar infermier; Dragot: Natasha Mema (mami), Xhevo Alia (mjeke), Sidorela Hita (mami); Zhapokikë: Zonjushe Alimemaj; Në maternitetin e Krahësit mami kanë punuar, Elveti Hada (Saka), Hanko Hyseni dhe Liri Alushi; Selcka e Vogël: Ilmie Skënder Brahimi; Lekdush: Nadire Hitaj (infermiere), Mbarime Gjergji (Hajnaj), Fatbardha Zhupa, Afërdita Beqiri (Bashaj) dhe Afërdita Qendro; Në Kamçisht dhe Koshtan, ka punuar infermiere Sabiko Gjokthomi; Kamçisht: Avni Muçobega; Salari: Engjellushe Ruçi (Nanaj) ka punuar infermiere; Sinanaj: Shyqëri Llanaj, infermier dhe nga eksperienca, bënte edhe punën e gjinekologut; Në Levan, kanë punuar mami, Hanko Hyseni dhe Lulëzime Hyseni; Buzë: Tefta Kalemi; Gllavë e Vogël: Sanije Allkushi; Progonat: Irena Shena, ndihmës mjeke mami dhe Shpresa Lela, e cila ka punuar mami dhe infermiere në vitet 1982-97; Salari: Engjellushe Ruçi (Nanaj) ka punuar infermiere; Xhaxhaj: Shaniko Hysaj, ka punuar mami dhe infermiere; Sinanaj: Shyqëri Llanaj, infermier dhe nga eksperienca, bënte edhe punën e gjinekologut; Levan, kanë punuar mami, Hanko Hyseni dhe Lulëzime Hyseni; Canaj: Avni Muçobega, i cili ka punuar edhe në Memaliaj; Buzë: Tefta Kalemi; Gllavë e Vogël: Sanije Allkushi.

Xhane Harizaj: “Razije Matuka ka punuar gjinekologe në Nivicë, e cila me profesionalizëm e në kushte të vështira, priste gjithë lindjet e zonës së Kurveleshit.”

Ethem Mema: “Në fshatin më të largët të rrethit të Tepelenës, në Selckën e Vogël, ka shërbyer Ilmie Skë nder Brahimi, e cila ka qenë, jo vetëm infermiere por edhe mami dhe gjinekologe, ku shtëpia e saj ishte kthyer në qendër shëndetësore. Ajo punoi me përkushtim dhe ishte në shërbim të popullit dhe grave shtatëzane, prej 25 vitesh. Banorët e fshatit, e kanë vlerësuar me titulli, “Heroin” e fshatit. Kontributi i saj, pasqyrohet më së miri në librin “Aromë Vendlindjeje”, ku është shkruar historiku i fshatit. Me pasionin dhe dashurinë për punën,si dhe përkushtimin e saj, për 25 vite, vdekshmëria foshnjore në fshat, ishte Zero.”

Agim Basha: “Në maternitetin e qytetit Tepelenë, mami ka punuar, Dyshe Shena, ndërsa në “Shtepinë e lindjes” të fshatit Lekdush, mbaj mend Nadire Hitaj, e cila ka punuar infermiere e përkushtuar dhe më vonë kanë punuar, Mbarime Gjergji (Hajnaj), Bardha Zhupaj, Aferdita Beqiri (Bashaj), Aferdita Qendro, …etj. Respekt për të gjitha këto infermiere dhe mami, të cilat kanë punuar me ndershmëri, dashuri dhe përkushtim. Ato kanë marrë bekimin e të gjithë njerëzve, që i njohën gjatë atyre viteve te veshtira! Mirënjohje për përkushtimin e tyre në punën! Zoti i bekoftë!”

Elsa Bataj: “Në fshatin tim, Salari infermiere-mami, ka punuar vajza r xhahxit tim, Engjëllushe Ruçi (Nanaj), ndërsa në fshatin Sinanaj, ka punuar infermier Shyqëri Llanaj, i cili ishte i palodhur për të gjithë zonën dhe nga përvoja bënte edhe punën e gjinekologut.”

Rozeta Hada Mullara: “Mamaja ime, Elveti Saka (Hada) dhe tezja ime Hanko Hyseni, kanë punuar në Krahës. Në këtë qendër lokaliteti, ka patur spital dhe maternitet me shtrime, shtretër dhe mjekë, të paktën që nga viti 1965-ë. Të gjitha lindjet, priteshin nga këto mami, të cilat kanë bërë një punë heroike duke i vizituar gratë nëpër fshatra të thellë, ku nuk kanë patur kushtet e sotme, e megjithatë, sot shteti i ka nxjerrë në pension me nga 100 euro.”

Dituri Hila (Malaj): “Në Progonat ka pasur spital, i cili ishte në shërbim për gjithë zonën! Me sa mbaj mend, mami e parë ka qenë, Besa Kerma, e cila sot është me banim në SHBA. Më vonë, kanë punuar ndihmës mjekë por edhe asistentë në lindje edhe të tjerë si: Thoma Kumi, Irena Mita (Shena), Dallandyshe Guma (Hila) dhe Shpresa Lela, e cila ka punuar mami dhe infermiere në vitet 1982-97.”

Fatmir Shehu: “Një ndër mamitë e para të Tepelenës dhe gjithë rrethit tonë, të viteve 1960-të, është Diamanta Skëndi. Në vitin 1974 e në vazhdim, dolën kuadrot e para në mjeksin e mesme, në të gjitha lokalitetet si në Buzë ku shërbente Tefta Kalemi. Në Gllavë të Vogël dhe në Gllavë të Madhe, ka punuar Sanije Allkushi. Ndërsa në Selckën e Vogël, kanë kontribuar për shëndetin e grave dhe të fëmijëve ku vdekshmëria e tyre, ishte shume e rrallë. Në rrethin e Tepelenës, ka patur spitale në Krahës, Buzë, Progonat, Sinaj, Izvor, Memaliaj, Tepelenë dhe në 52 fshatrat e rrethit, ka pasur qendra shëndetësore me personel të kualifiuar e të nderuar nga populli. Këta kuadro, ne i takojmë sot në disa qendra të mëdha shëndetësore si në Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë, Berat, …etj.”

Diamanta Skëndi duke punuar në maternitet.

Edhe për qytetin e Memaliajt, që nga ditët e para të themelimit e deri në ditët e sotme, ka kaluar nëpër vështirësitë e kohës, ku lindjet bëheshin nëpër shtëpira, e deri sa u legalizua materniteti i parë e në vazhdim. Të parat mami me përvojë jete, që kanë ndihmuar nëpër shtëpira, për të ardhur në jetë me dhjetra fëmijë memaliotë, janë nënat, Hava Shehu dhe Fato Lila.

Mamia e parë, që ka punuar në maternitetin e parë, është Hanushe Caushi dhe të tjerat më vonë në kohë si: Medo Merdani, Kushulla Varfi, Helme Xhezaj, Eli Basho, Mjaftoni Imeri, Mjaftoni Muçollari, Helme Xheza, Merdhuri Caushi, Dhurata Zhupa (Pata), Medie Çumani, Mjaftoni Imeri, Rabie Kamberi, …etj.

Janë të shumtë edhe emrat e infermierëve që kanë punuar edhe në këtë maternitet. I pari infermier që ka punuar, është Goxho Kërpi. Po në fillimet e ndërtimit të qytetit, është edhe infermieria, Kalopi Dine. Në vazhdim kanë punuar edhe Faik Mamaj, Muharrem Malkaj, Zymbyle Veizi, Nevrie Dervishi, Ismete Cacaj (Hasimi), Anife Shehu, Farbardha Xheliaj. Vojsava Hitaj, Tefta Kondo (Muçi), Razie Bodeci, Resmie Hida, Fatmira Lako, Gjyslo Xhelita, Merdhuri Manaj, Lulëzime Xhafaj, Shpresa Zhupa, Shpresa Hasa, Fatbardha Xheliaj, Dallandyshe Çibuku, Violeta Myrtaj, Luljeta Meta, Lindita Nika (Xhelili), Thanas Gjoka, …etj.

Për më shumë informacione, që do të ndihmojnë për të bërë më të plotë, pjesën e këtij shkrimi historik, për maternitetin e Memaliajt, po sjellë disa rrëfime si më poshtë:

Fatos Hita: “Në maternitetin e parë në Memaliaj, mami e parë ka punuar, Hanushe Caushi, ndërsa bashkëshorti i saj, ndihmësmjeku Faik Caushi, nuk ka punuar në maternitet. Më vonë, kur u hapë spitali ku kishte edhe maternitet, ka punuar Kushulla Varfi, e cila ishte kryemami. Në profesionin e mamisë, kanë punuar edhe të tjera bashkëqytetare si: Mjaftoni Muçollari, Helme Xhezaj, Dhurata Zhupa (Pata), Medo Çumani, …etj.

Arzo Koçi: “Në maternitet, kanë punuar: Drita Hoxha, Dudë Minxolli, Kushulla, Varfi, Majftoni Muçollari, Helime Xhezaj, …etj.”

Izeir Minaj: “Dy mamitë e para që kanë ndihmuar 14 famijlet e para në vendbanimin e Karaules, kanë qenë nënë Hava Shehu dhe nënë Fato Lila. Në atë kohë, ne banonim përtej lumit Vjosë, në veriperëndim të Pyllit të Karaules. Në atë kohë, qyteti i Memaliajt, nuk kishte filluar ende të ndërtohej.”

Bilo Meta: “Mondi! Babai më thotë, se në infermierin e parë, i pari infermier ka qenë Goxho Kërpi. Më vonë, midis shumë infermiereve të tjera, kanë punuar edhe Luljeta Meta, Shpresa Hasa, Violeta Myrtaj, …etj.

Fize Malka (Qendro): “Hanushe Caushi ka qenë mami, ndërsa bashkëshorti i saj, Faik Caushi, ka qenë ndihmësmjek, që të dy janë më të vjetrit që kanë punuar për herë të parë në Memaliaj, pastaj kaluan në Tepelenë, ku Hanushja punoi si kryemami në maternitet dhe Faiku në poliklinikën e Tepelenës. Unë kam punuar në Drejtorin e higjenës, si ndihmësmjeke epidemiologe në Tepelenë, si dhe në edukimin shëndetësor po në këtë vend.”

Vion Laska: “Mondi! Materniteti ka qenë pikërisht në hyrjen që banoj unë. Ka patur dhe një derë nga brenda, ku lidhej me dhomën e Hekuran Hodos, e cila ishte dhomë e paralindjes. Ndërsa dhoma tjetër, ku është lindur Foto Strakosha, eshtë dhoma ime ku banoj. Hyrja e mesit, lartë, ka qenë senatoriumi dhe në krah të saj, banonte Hanushe Caushi, e cila ishte mamia e maternitetit.”

Mimoza Halili: “Më duket se materniteti i parë në Memaliaj, ka qenë tek njëkateshet, pas Mapos Industriale.”

Elena Lumani: “Materniteti i parë, ka qenë tek një nga shtepitë njëkatëshe, pas Mapos Industriale. Tek kjo shtëpi, njëra anë përdorej për çerdhe fëmijësh dhe në hyrjen tjetër, shërbente për maternitet. Në këtë maternitet në vitin 1958, u lind motra ime e vogël. Më vonë, materniteti u vendos tek pallati dykatësh, ku banon bashkëqytetari, Viron Laska. Pas disa vitesh, kaloi tek godina që ka shërbyer për shkollën e FZO-s, deri në momentin kur mbaroi së ndërtuari, spitali i ri trekatësh, ku kati i dytë shërbente si maternitet.”

Për brezat e rinj që nuk e dinë, Memaliaj, është vendlindja e shqiptarit të tremiliontë të asokohe të RPSSH-së. Për këtë gëzim mbarë shqiptar, e pagëzuan me emrin Gëzim, i cili u lind më 27 shkurt të vitit 1986, me prindër Lavdije dhe Qemal Bega, me origjinë nga Salaria e rrethit Tepelenë, por banorë të qytetit Memaliaj.

Tek rrëfimet e Dr. Çerçiz N. Myftarit, në kujtimet e tij me titull, “Tremilionti”, tregon sesi i mbërriti një telefonatë nga zëvendësministrja e shëndetësisë së kohës, e cila e vë në dijeni për fëmijën e sapolindur, që kishte kapur rekordin e numrit të rritjes së popullsisë brenda republikës shqiptare. Nga kujtimet e tij, shkëputa këtë fragment, të cilën do e lexoni në vijim: “Kjo bisedë telefonike mëngjesore, u bë firma dhe vula dekretuese, e njeriut të tremiliontë të RPSSH-së. Ne, që njiheshim për qymyrgurin e cilësisë të mirë; për vendin e parë të lindshmërisë të fëmijëve në shkallë vendi (çdo vit, lindnin 300 fëmijë), këtej e tutje marrim emrin e Qytetit të Tremilionshit.”

Padyshim, për kohën, Memaliaj u bë i njohur, jo vetëm në gjithë vendin, Gadishullin Ilirik, por edhe në botë, pasi të gjithë të huajt në atë kohë, i mbanin sytë dhe veshët nga Shqipëria, si vendi më i izoluar në Evropë dhe ndër të paktët në botë.

Në mbyllje të këtij shkrimi historiko-dokumentar, dua të shprehë mirënjohjen më të thellë, jo vetëm për të gjithë këta punonjës që përmenda në këtë shkrim dhe ndonjë që e kemi harruar pa e përmendur, por edhe për ata që ndihmuan me kujtimet e tyre!

Edmond Ismailati

Janar, 2024