Kryesore “Një nga ditët më të errëta të historisë”, Biden kritikon edhe policinë

“Një nga ditët më të errëta të historisë”, Biden kritikon edhe policinë

Presidenti i zgjedhur Joe Biden i kushtoi një tjetër konferencë për shtyp nga Delawere protestave të dhunshme në Uashington, ku mbështetës të presidentit Donald Trump hynë me forcë në selinë e Kongresit.

Biden e konsideroi ditën e djeshme një nga “më të errëtat në historinë e kombit” dhe një “sulm ndaj fortesës së lirisë”.

Ai shkoi më tej duke i cilësuar protestuesit si terroristë.

“Ata që kishin hyrë mbrëmë në Kapitol nuk ishte protestues, por një turmë e dhunshme dhe terroristë të brendshëm”, u shpreh Biden.

Gjithashtu, presidenti i zgjedhur, që pritet të marrë zyrtarisht detyrën më 20 janar, nuk kurseu as kritikat ndaj forcave të policisë, për të cilat tha se nëse protestuesit do të ishin pjesë e lëvizjes “Black Lives Matters”, reagimi i tyre do të ishte ndryshe.

Ligjvënësit amerikanë kërkojnë hetim të forcës policore që mbron Kapitolin

Ligjvënësit amerikanë po bëjnë thirrje për një hetim të forcës policore që mbron Kapitolin, duke i falenderuar ata në të njëjtën kohë për veprimet e tyre, pas sulmit të së mërkurës në selinë e organit legjislativ të vendit nga një turmë mbështetësish të presidentit Trump.

Kërkesa u bë nga dy demokratë të cilët në Kongresin e ri do të drejtojnë nënkomisionet që mbikëqyrin buxhetin për Policinë e Kapitolit.

“Do të ketë shumë video, disa që ngrenë shqetësime, disa që tregojnë heroizëm. Na duhet një hetim i plotë se si u shkel kaq shpejt siguria e Kapitolit”, tha senatori Chris Murphy.

Ligjvënësi Tim Ryan vuri në dukje mungesën e përgatitjes përpara tubimeve të planifikuara të së mërkurës, ku mbështetësit e Presidentit Donald Trump u mblodhën për të mbështetur refuzimin e tij të vazhdueshëm dhe të pabazë të humbjes së zgjedhjeve.

“Mendoj se është mjaft e qartë se do të ketë një numër njerëzish që do të pushohen nga puna shumë, shumë shpejt sepse ky është një turp si i turmës, i presidentit, i kryengritjes, dhe përpjekjes për grusht shteti , por edhe i mungesës së planifikimit profesional dhe ballafaqimit me atë që e dinim se do të ndodhte”, tha ai.

Ligjvënësja Ilhan Omar shtoi: “Ne harxhojmë miliarda dollarë për sigurinë kombëtare dhe sot nuk arritëm të mbrojmë kryeqytetin e vendit tonë nga një turmë e paligjshme. E papranueshme!”