Bota “Nord Stream 2”, Merkel: Rusia të mos e përdorë gazsjellësin si armë

“Nord Stream 2”, Merkel: Rusia të mos e përdorë gazsjellësin si armë

Gjermania paralajmëron Rusinë me sanksione shtesë nëse përdor gazsjellësin kontrovers kundër Ukrainës.

Kancelarja Angela Merkel, e cila bëri vizitën e fundit në Kiev përpara largimit nga politika, i tha presidentit Volodimir Zelenski se i kuptonte shqetësimet e tij.

Kreu i shtetit kundërshton gazsjellësin “Nord Stream 2” pasi e konsideron kërcënim për sigurinë e Ukrainës. Tubacioni do të shtrihet poshtë detit Baltik dhe do të dyfishojë eksportimin e gazit rus për në Gjermani.

Gjatë konferencës së përbashkët me Merkel, presidenti Zelenski e konsideroi projektin si një “armë gjeopolitike të Kremlinit” dhe nënvizoi se do të jetë e rrezikshme për të gjithë Europën.

Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë dakordësuar që gazsjellësi “Nord Stream 2” të mos përdoret kundër Kievit. Në vizitën e fundit në Rusi, Merkel premtoi mbi 1 miliardë dollarë në ndihmë të Ukrainës për zgjerimin e sektorit të energjisë së rinovueshme.