Kryesore Nuk ndalen dezertimet në radhët e opozitës, edhe dy të tjerë duan...

Nuk ndalen dezertimet në radhët e opozitës, edhe dy të tjerë duan mandatin

Vijon të firojnë listat shumëemërore të kandidatëve për deputetë të opozitës.

Dy kandidatë të tjerë kanë dorëzuar sot në KQZ formularin e vetëdeklarimit, duke pranuar të marrin mandatet për të plotësuar vakancat në Kuvend.

Ata janë, kandidati i PD-së në qarkun e Korçës, Andi Përmeti dhe ai i LSI-së në qarkun e Beratit, Eugen Bojaxhiu.

Andi Përmeti ka qenë ndër kandidatët që është shprehur kundër Lulzim Bashës gjatë zgjedhjeve në Partinë Demokratike, ndërkohë që pritet të marrë mandatin e deputetit dhe të jetë pjesë e “opozitës së re”.

Përmeti, me profesion avokat dhe pedagog në Fakultetin e Drejtësisë ishte kandidati me nr.12 në qarkun e Korçës.

Ndërkohë, Eugen Bojaxhiu ka garuar në zgjedhjet e 2017-ës në listën e qarkut të Beratit.

Bojaxhiu është me profesion mjek patolog dhe ishte i renditur si nr.6 në listën e kandidatëve.

Ndërkohë sot KQZ i dha mandatin dy deputetëve nga lista shumëemërore e Partisë Demokratike në qarkun e Dibrës dhe atë të Korçës.

Halil Jakimi mori mandatin e deputetit për qarkun e Dibrës, ndërsa Arlind Çarçani për qarkun e Korçës duke çuar numrin e deputetëve në Kuvend në 103.