Sport Ofendoi futbollistin shqiptar, UEFA nis hetimin disiplinor për Arnautovic

Ofendoi futbollistin shqiptar, UEFA nis hetimin disiplinor për Arnautovic

Marko Arnautovic i befasoi të gjithë kur pasi realizoi golin e tretë në fitoren ndaj Maqedonisë së Veriut iu drejtua me ofendime Ezgjan Aliovskit, futbollistit shqiptar.

U kuptua pak në atë moment se çfarë kishte ndodhur, por më pas edhe vetë futbollisti i Austrisë pranoi gabimin që kishte bërë dhe kërkoi falje, e cila mesa duket nuk do të kalojë aq lehtë, të paktën nga UEFA.

Institucioni më i lartë i futbollit në Europë ka bërë të ditur se ka nisur një hetim disiplinor ndaj sulmuesit. “Një inspektor etik dhe i disiplinës është emëruar për të zhvilluar një hetim në lidhje me çështjen në të cilën është përfshirë lojtari”.

Ndërkohë, Federata e Maqedonisë së Veriut bëri të ditur se i ka dërguar një letër UEFA-s, ku kërkohet dënimi ndaj futbollistit. “Jemi kundër nacionalizmit, diskriminimit dhe të gjitha formave të tjera të ofendimeve që nuk kanë të bëjnë me futbollin. Dënojmë shfryrjen nacionaliste që bëri Arnautovic ndaj Alioskit”.