Aktualitet OFL iu dërgon formularin e vetëdeklarimit vrasësit, trafikantit dhe 3 të tjerëve

OFL iu dërgon formularin e vetëdeklarimit vrasësit, trafikantit dhe 3 të tjerëve

Operacioni Forca e Ligjit vijon punën në kuadër të Ligjit Special për sekuestrimin e pasurive ndaj personave të dënuar apo akuzuar për krime të rënda.

Gjatë së mërkurës, OFL iu dërgoi formularin për vetëdeklarimin e pasurisë 5 personave të tjerë që janë subjekt i këtij ligji.

Kështu sipas ligjit duhet që të vetëdeklarojë pasurinë me shkrim brenda 48 orësh Sokol Tavasja nga Shkodra, i dënuar nga gjykata për prodhim e shitje narkotikësh, vrasje me paramendim dhe armëmbajtje pa leje.

Gjithashtu duhet të deklarojë burimet e ligjshme të pasurisë Ismet Idrizi po nga Shkodra, i cili po hetohet për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.

Formulari i OFL iu është dërguar dhe Sokol Xhanin dhe Gjeto Pepajt në qytetin verior, të dënuar për prodhim e shitje narkotikësh dhe armëmbajtje.

Personi i pestë i cili ka marrë kërkesën e OFL është Astrit Pata nga Tepelena, i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, për veprën penale “Trafikimi i femrave”.