Bota Palmer: Dialogu Kosovë-Serbi, prioritet

Palmer: Dialogu Kosovë-Serbi, prioritet

Në një intervistë për median shtetërore serbe Tanjug, i dërguari i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer ka deklaruar se qëllimi tij është të ulë në tryezën e bisedimeve Beogradin dhe Prishtinën.

“Qëllimi im është që t’i kthejë Beogradin dhe Prishtinën në tryezën e bisedimeve sa më shpejt të jetë e mundur dhe të sigurojë një marrëveshje. Zgjidhja e çështjes së Kosovës është prioritet në axhendën time. Ne kemi mundësinë dhe ne duam ta shfrytëzojmë”.

Gjatë intervistës për këtë media, Palmer ka thënë se e ka pranuar postin pasi ai mendon se një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve Beograd-Prishtinë është e mundur. Sipas tij, kjo do ta transformonte tërë Ballkanin, do të hapte rrugën evropiane për Serbinë e Kosovën, dhe do të ishte “një gjë pozitive për rajonin, Evropën dhe SHBA-në”.

Palmer thekson se për SHBA-në kthimi i Beogradit dhe Prishtinës në tryezën e bisedimeve është një qëllim afatshkurtër, duke nënvizuar se ato mund të mbahen mes përfundimit të zgjedhjeve në Kosovë dhe atyre të Serbisë, në pranverë.

Ai shtoi: “Shpresojmë që të dyja palët të shfrytëzojnë këtë mundësi”, duke u shprehur se SHBA shpreson se qeveria e ardhshme e Kosovës të pranojë të pezullojë tarifat për të lejuar që dialogu të rifillojë.