Aktualitet Pandemia e koronavirusit: Ndihmat për banorët në vështirësi në Jug të Shqipërisë

Pandemia e koronavirusit: Ndihmat për banorët në vështirësi në Jug të Shqipërisë

Në shumë zona të Qarkut të Gjirokastrës të rinjtë po ndihmojnë shpërndarjen e ndihmave nga bashkitë tek banorët pa përkrahje. Ekipet e ndihmës po i furnizojnë banorët, jo vetëm me ushqime, por edhe me ilaçe. Në këto ditë të pandemisë së koronavirusit të rinjtë kanë vendosur në qendër të Gjirokastrës banderola ku mbizotërojnë mesazhet për të ndihmuar personat në nevoje dhe sidomos të moshuarit. Grupe te rinjsh të përfshirë si punonjës apo vullnetarë nga Bashkia e Gjirokastrës merren çdo dite me shpërndarjen e ndihmave ne zonat urbane dhe rurale.

Qarku i Gjirokastrës është rajoni më i prekur në Shqipëri nga emigracioni dhe mplakja e popullsisë dhe shumica e të moshuarve nuk kanë asnjë mbështetje. Anesti Bashari është një prej të rinjve që flet se si ekipet e vogla të bashkisë së qytetit shpërndajnë ndihmat.

“Përfituesit janë ata që marrin ndihmë ekonomike, personat me aftësi të kufizuar dhe të tjerë që e përfitojnë pakon ushqimore. Ne funksionojmë me grupe, sipas lagjeve”.

Anesti thotë se krahas punonjësve të bashkisë bashkohen edhe grupet e vullnetarëve që kanë nevojë të shtohen për të rritur spektrin e shërbimeve. Aureli dhe Eni e gjejnë Sofinë, një grua që jeton e vetme në periferi të Gjirokastrës duke shfrytëzuar të dhënat që ajo ka dhënë pranë Zyrës së Ndihmës Ekonomike. Sofia thotë për Zërin e Amerikës se merr 2500 lekë në muaj, gati 25 dollarë, si ndihmë ekonomike, me të cilat paguan qeranë dhe e ka mjaft të vështirë mbijetesën, sidomos në këtë periudhë.

“Jam 69 vjeç, kjo për mua është vdekja, aq e vështirë është, por më ka ruajtur Zoti dhe me këtë lagështi që kam në banesë dhe nuk marr ilaçe”, thotë Sofia.

Të rinjtë shpërndajnë çdo ditë në këto komunitetet në nevojë ndihma dhe kur situata nuk dihet sa do të vazhdojë, mbështetja e qëndrueshme me ushqime është mjaft e rëndësishme. Jo vetëm në Gjirokastër por edhe në 6 bashkitë e tjera të qarkut skema e mbështetjes për këto kategori personash vijon me te njëjtin ritëm ditor gjatë këtyre ditëve të pandemisë. Kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës Flamur Golemi thotë se familjet në nevojë mbështeten me ushqimet e domosdoshme të shportës.

“Deri tani kemi listuar 262 familje në nevojë. Secila nga këto familje po asistohet me ndihmat ushqimore në qytet dhe në zonat rurale.”

Zoti Golemi vlerëson ndihmën e te rinjve, studentëve, mësuesve por edhe të sipërmarrjeve që kanë shprehur solidaritetin e tyre gjatë këtyre ditëve. Në Gjirokastër gjatë këtyre ditëve nuk mungojnë edhe nismat e veçanta. Dy të rinj te një restoranti tradicional në shenjë solidariteti gatuan për mjekët ne tre spitale atë të Gjirokastrës, Tepelenës dhe Memaliajt. Qeveria në Shqipëri ka ndërmarrë masa te forta ndaj pensionistëve për të frenuar në zonat urbane daljen e tyre nga shtëpia. Ndihma në vijueshmëri për këtë kategori të popullsisë por edhe banorët e vetmuar ne zonat rurale mbetet një sfidë për qeveritë vendore dhe veçanërisht për të rinjtë që shërbejnë ndaj tyre./VOA