Kulturë Pandemia ka krijuar një “Hollivud” të ri, Australinë

Pandemia ka krijuar një “Hollivud” të ri, Australinë

Në qoftë se në këtë kohë të zymtë pandemie ka një parajsë në tokë, kjo është Australia. Të paktën, sipas mendimit të yjeve të Hollivudit, që janë transferuar në masë në ishullin-kontinent, duke shndërruar qytete si Melbourne dhe Sideny në kryeqytetet botërore të showbizit ndërkombëtarë.

Arsyet janë të shumta, dhe ndërthuren. Australia ka zbatuar nga fillimi masa shumë të rrepta parandalimi të pandemisë, dhe gjeografia e ka ndihmuar padyshim. Sot vendi regjistron në total më pak se 30 mijë të infektuar dhe 909 viktima zyrtare, ndërkohë që ritmet e infeksioneve nuk kalojnë atë që mund të numrohen në gishtat e duarve.

Tashmë aktivitetet po zhvillohen pothuajse me ritme normale, pa përjashtuar edhe eventet kulturore. Ndërkohë, peizazhet mbresëlënëse dhe klima fantastike ka tërhequr një pjesë të mirë të yjeve nga e gjithë bota.

Por ka edhe arsyeje praktike. Qeveria australiane po financon dhe mbështet të gjitha produksionet ndërkombëtare që zgjedhin si skenar atë vend, ku po krijohen ndërkohë facilitete të rëndësishme për kinematografinë, me studio që nuk mbeten pas atyre amerikanë.

Një koktej që ka bërë të dashurohen me Australinë yje të shumta gjatë këtij viti, ku disa prej tyre kanë vendosur të rrinë gjatë, ndoshta të transferohen përgjithmonë. Është rasti i britanikut Sasha Baron Cohen, i njohur për personazhin e Borat, që u transferua në dhjetor në Sidnei dhe ka regjistruar fëmijët në shkollë.

Një tjetër aktor i njohur si Zach Efron jo vetëm është transferuar, por ka gjetur edhe dashurinë tij, një bariste australiane me emër Vanessa, me të cilën po ndërtojnë një shtëpi në një tokë të blerë enkas.

Aktorë si Julia Roberts, Matt Damon, Nathalie Portman dhe Idris Elba ndodhen po ashtu në Australi prej muajsh, duke xhiruar filmat e tyre por edhe duke shijuar diellin dhe stilin e jetesës së relaksuar australiane, me mendimin për ta zgjatur sa më shumë këtë eksperiencë.

Në fund, janë dhe rikthimet në shtëpi. Artistët australianë që prej vitesh kishin emigruar në kërkim të famës po rikthehen, me shumë qejf. Bëhet fjalë për këngëtarë si Kylie Minogue, e cila pas 30 vitesh në Britani po kalon një periudhë të gjatë në Melburnin e saj, ashtu si dhe Nicole Kidman.

Regjisori fitues i Oskarit Ron Howard, në Australi për xhirimet e një filmi të bazuar në shpëtimin e disa nxënësve në shpellat e Tajlandës, thotë se “ky është një nga vendet e pakta në botë ku ndihem mirë për momentin, dhe rri pa maskë i qetë. Këtu marr frymë lirshëm”. Nuk është i vetmi që e mendon ashtu.