Kryesore Pas 18 majit “hapja e madhe”, por kufizimi i orarit mund të...

Pas 18 majit “hapja e madhe”, por kufizimi i orarit mund të mbetet në fuqi

Nga hapja e bareve dhe restoranteve, tek hapja e kufijve tokësorë dhe ajrorë e deri tek hapja e kishave dhe xhamive.

Pas 18 majit Shqipëria mund të ndjejë pak më shumë rikthimin në normalitet.

Qeveria është duke përmbyllur protokollet specifike të sigurisë higjieno-sanitare dhe të distancimit fizik që do të duhet të respektojnë si bizneset, ashtu edhe institucionet që do t’i rikthehen punës në fazën e tretë të hapjes.

Hapjen e kufijve, si ajrorë ashtu edhe tokësorë e paralajmëroi Kryeministri Edi Rama gjatë një mbledhjeje virtuale me Komitetin Teknik, ku tha se me hapjen shtohet edhe sfida për autoritetet.

“Do të vazhdojmë të konsultojmë me ju të gjitha masat e ndërmarra. Deri në datën 18 janë këto që janë, pastaj do të vijë procesi i hapjes edhe të flukseve për të hyrë në Shqipëri qoftë nga ajri, qoftë nga toka dhe aty do të jetë një tjetër sfidë”, u shpreh ai.

Hyrje-daljet nga Shqipëria do të jenë të kontrolluara rreptësisht, të paktën sipas planit që po hartojnë autoritetet, ku distancimi fizik mbetet arma më e fortë kundër pandemisë.

Personat që do të hyjnë duhet të vetëkarantinohen për 14 ditë, sipas dëshirës së tyre në hotel, ose në banesë e tyre. Në të dyja rastet, para se të hyjnë duhet të deklarojnë adresën e saktë.

Ndërkohë, po pas kësaj date do të hapen edhe baret dhe restorantet, por me disa rregulla strikte distancimi fizik.

Sipas protokollit të sigurisë, fillimisht do të shfrytëzohen vetëm ambientet e jashtme, do të ndalohet aktiviteti në ambiente të brendshme të mbyllura dhe duhet të garantohet largësia prej të paktën 1 metër nga karrigia në karrige.

Baret dhe restorantet duhet të plotësojnë me sinjalistikën e nevojshme ruajtjen e distancës fizike mes klientëve, nëse kanë mundësi të shmangin pagesat me para në dorë dhe të përdoren kartat e kreditit, ndërkohë që i gjithë stafi duhet të jetë i pajisur me maska, doreza, dezinfektues dhe materiale të tjera mbrojtëse.

Sa u takon objekteve të kultit, Qeveria është në pritje të një propozimi nga ana e komuniteteve fetare. Kryeministri Edi Rama bashkëbisedoi me drejtues të këtyre komuniteteve gjatë javës dhe u kërkoi hartimin e një plani masash hapjeje, që do të garantonte sigurinë dhe respektimin e protokolleve të sigurisë. Ai përjashtoi hapjen e tyre para datës 18 maj.

Megjithatë, orari i kufizimit të aktiviteteve deri në 17:30 pritet që të qëndrojë në fuqi. Pas kësaj ore gjithçka duhet të mbyllet, me përjashtim të aktiviteteve për të cilat Qeveria ka vendosur ndryshe.

Burime të gazetës “Si” thonë se në një moment të dytë do të shqyrtohet fillimisht zgjerimi i fashës orare të lëvizjes me 3 orë të tjera, pra duke e çuar deri në 20:30 dhe më pas mundësia e një zgjerimi tjetër, ose e heqjes fare të këtij kufizimi.

“Do të varet nga ecuria. Nëse numri i infeksioneve të reja do të vazhdojë të ulet do të lehtësohet lëvizja, nëse nuk vërehet një trend ulës, por rastet e reja qëndrojnë në shifra të përballueshme për ne orari kufizimet nuk do të ndryshojnë deri në një moment tjetër”, thonë burimet.

Me shifra të përballueshme autoritetet nënkuptojnë skenarin ku numri i infektimeve të reja në 24 orë të mos kalojë numrin e personave që deklarohen të shëruar.

Burimi: Gazeta Si