Sport Pas më shumë se 70 vitesh bashkëpunim, Gjermania braktis Adidas-in për Nike,...

Pas më shumë se 70 vitesh bashkëpunim, Gjermania braktis Adidas-in për Nike, plasin polemikat

Trajneri i Gjermanise, Julian Nagelsman, me fanellen tradicionale Adidas

Sërish polemika te Gjermania, këtë herë për fanellën. Vendimi i Federatës gjermane (Dfb) për të ndërprerë pas më shumë se 70 vitesh bashkëpunimin me “Adidas”-in, për të kaluar te kompania amerikane “Nike” nga 2027-a, ka surprizuar gjermanët. Dhe menjëherë ka shpërthyer debati.

Për këtë çështje kanë reaguar edhe eksponentë të qeverisë së Berlinit. I pari ishte zëvendëskancelari dhe ministri i Ekonomisë, Robert Habek, i cili pas njoftimit të Dfb-së kritikoi ndryshimin e markës së fanellës së kombëtares.

“Nuk arrij ta imagjinoj fanellën e Gjermanisë pa tri vijat. Për mua, “Adidas”-i është i zi, i kuq dhe ngjyrë ari, kanë qenë githmonë bashkë. Një pjesë e identitetit gjerman. Do të më pëlqente pak më shumë patriotizëm lokal”, – ka thënë Habek.

Ndryshimi historik i Federatës gjermane ka irrituar edhe ministrin e Shëndetësisë, Karl Lauterbah. “’Adidas’ nuk është më fanella e kombëtares së futbollit? Një kompani amerikane në vend të tij? Vendim i gabuar, komercialiteti shkatërron një traditë, një pjesë të shtëpisë”, – ka shkruar Lauterbah në një postim në X.

Edhe deputetja e Bundestagut, Dorothe Baer, gjithmonë në X, e ka quajtur vendimin e Dfb-së “të gabuar dhe të pamëshirshëm”. Bashkëpunimi i kombëtares gjermane me “Nike” duhet të zgjatë deri në 2034-ën.

Sipas së përditshmes gjermane “Handelsblatt”, që citon burime pranë këtij sektori, prodhuesi amerikan i veshjeve sportive do të investojë më shumë se 100 milionë euro në vit, duke nisur nga 2027-a. Kjo do të thotë se “Nike” do ta kalonte me diferencë të madhe shumën e kontratës me “Adidas”, që sipas “Bild”, i garantonte Federatës 50 milionë euro në vit.