Aktualitet Pas ndihmës nga Greqia, Ministria e Mbrojtjes: Neutralizohet zjarri në Sazan e...

Pas ndihmës nga Greqia, Ministria e Mbrojtjes: Neutralizohet zjarri në Sazan e Mirditë

Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur me anë të një njoftimi për mediat pasditen e së martës se është arritur të neutralizohet zjarri në ishullin e Sazanit, por edhe në Mirditë.

Ministria thekson se në operacionin për vënien nën kontroll të flakëve morën pjesë 122 efektivë të Forcave të Armatosura, 9 mjete, 2 anije u angazhuan në operacionin e nisur tri ditë më parë për të shuar flakët. Mëngjesin e sotëm nisi edhe ndërhyrja nga ajri. Forcave në terren iu bashkua edhe avioni Canadair CL 415, i ardhur si mbështetje nga Greqia

“Neutralizohen vatrat e zjarrit në ishullin e Sazanit, pas një pune të pandërprerë nga toka dhe ajri. 122 efektivë të Forcave të Armatosura, 9 mjete, 2 anije u angazhuan në operacionin e nisur tri ditë më parë për të shuar flakët. Mëngjesin e sotëm nisi edhe ndërhyrja nga ajri. Forcave në terren iu bashkua edhe avioni Canadair CL 415, i ardhur si mbështetje nga Greqia, në kuadër të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian. Situata në ishullin e Sazanit është nën kontroll,  ndërsa puna vijon për të shmangur totalisht mundësinë e rindezjes së flakëve për shkak edhe të bimësisë.

Ndërkaq 54 efektivë të FA iu bashkuan forcave zjarrfikëse në aksionin për shuarjen e vatrës së zjarrit në njësinë administrative Orosh të Mirditës. Në operacionin që u finalizua në një kohë të shpejtë u bë e mundur shmangia e përhapjes së flakëve pranë banesave.

Ministria e Mbrojtjes shpreh mirënjohjen për punën e të gjithë ekipeve të angazhuara dhe u bën thirrje qytetarëve, turistëve që këtë sezon pritet të jenë të shumtë të bëjnë kujdes, pasi kjo  verë parashikohet të jetë e nxehtë dhe rreziku nga zjarret mbetet evident. Falenderime të përzemërta Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian për mbështetjen, shtetit fqinj Greqisë për përgjigjen në kohë rekord me avionin Canadair”, njofton Ministria e Mbrojtjes