Politika PD me dy kërkesa të ndara në Kushtetuese për mandatin e Xhaçkës

PD me dy kërkesa të ndara në Kushtetuese për mandatin e Xhaçkës

Deputeti i PD-së Agron Shehaj, në emër të deputetëve mbështetës të Sali Berishës ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për konstatimin e papajtueshmërisë me Kushtetutën të mandatit të Olta Xhaçkës.

Shehaj u shpreh se me këtë votim të turpshëm, mazhoranca e shndërroi Parlamentin edhe një herë tjetër në një mburojë për korrupsionin e qeveritarëve të saj.

“Ky është një akt shumë i rëndë. E megjithatë, jo surprizë për ne. Sepse në këto 10 vjet, kjo mazhorancë dhe kjo qeveri vetëm këtë kanë bërë. Kanë shfrytëzuar pushtetin për të vjedhur dhe për t’u pasuruar në mënyrë të paligjshme dhe më pas kanë përdorur kartonët e Parlamentit si mburoje për korrupsionin e tyre”, tha Shehaj.

Kanë qenë 28 deputetë që kanë hedhur firmën në kërkesën e dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me mandatin e Olta Xhaçkës.

Sot më herët, sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi në një deklaratë për mediat nga Kryesia e Kuvendit bëri me dije se Partia Demokratike ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese kërkesën për heqjen e mandatit të Olta Xhaçkës.

Kërkesa është depozituar në Gjykatën Kushtetuese nga grupi parlamentar i PD dhe është firmosur nga 14 deputetë të grupit parlamentar.