Bota Pelosi flet me shefat e ushtrisë për Trump: T’i hiqen kodet bërthamore

Pelosi flet me shefat e ushtrisë për Trump: T’i hiqen kodet bërthamore

Kongresistja demokratike Nancy Pelosi foli me ushtrinë amerikane të premten rreth mënyrës se si të parandalohet Donald Trump, “presidenti i paekuilibruar” sipas saj, që të përdorë kodet bërthamore, duke kërcënuar njëherësh të ndërmarrë hapa në Kongres nëse nuk tërhiqet shpejt

“Këtë mëngjes, unë fola me telefon me Shefin e Shtabit të SHBA, Mark Milley për atë që mund të bëhet për të parandaluar një president të paqëndrueshëm nga nxitja e konfliktit ushtarak ose hyrja në kodet e nisjes dhe urdhërimin e një sulmi bërthamor”, shkroi Kryetarja e Dhomës në një letër për ligjvënësit e tjerë.

“Situata me këtë president të paekuilibruar nuk mund të jetë më e rrezikshme”, shtoi ajo, duke njoftuar se Kongresi do të ndërmarrë hapa nëse Trump nuk “largohet shpejt dhe vullnetarisht” nga Shtëpia e Bardhë, pa deklaruar se cilat cilat do të ishin ato.

Ky i fundit do t’i dorëzojë pushtetin Joe Biden në 20 janar.

Një zëdhënës i gjeneralit Mark Milley, kolonel Dave Butler, konfirmoi për AFP informacionin në lidhje me atë bisedë.

Nancy Pelosi “thirri shefin e shtabit. Ai iu përgjigj pyetjeve të saj rreth zinxhirit komandues bërthamor”, tha ai, pa hyrë në detajet e bisedës.

Presidenti amerikan është gjithashtu komandanti i forcave të armatosura. Mund të lëshojë një urdhër për të aktivizuar kodin bërthamor tek Shefi i Komandës Strategjike, i cili do t’ia transmetojë atë bazave bërthamore nëse urdhri është i ligjshëm.

Donald Trump, presidenti i 45-të i SHBA, do të dorëzojë pushtetin Joe Biden më 20 janar, por Nancy Pelosi tha të enjten se ditët e mbetura mund të kthehen në një “film horror për Amerikën”.

Të mërkurën, mbështetësit e Donald Trump hynë në Kongres, ku po mbahej një seancë për të konfirmuar fitoren e Joe Biden, duke shkaktuar skena të dhunshme kaosi.

Miliarderi republikan më parë kishte refuzuar edhe një herë të pranonte humbjen në zgjedhjet presidenciale para mbështetësve të tij të mbledhur para Shtëpisë së Bardhë, duke i nxitur ata të shkonin në Kapitol “në paqe”.

Nancy Pelosi akuzoi të enjten miliarderin republikan për “nxitje të një rebelimi të armatosur kundër Amerikës” dhe i bëri thirrje zëvendësit të tij Mike Pence të thërriste amendamentin e 25-të të Kushtetutës dhe të largonte Trump-in nga pushteti.

Përndryshe, Kongresi “mund të fillojë procesin e shkarkimit “, shtoi Pelosi, një armike e betuar politike e Trump-it.

“Ne ende shpresojmë se ai do të na japë një përgjigje pohuese sa më shpejt të jetë e mundur,” tha ajo në letrën e saj të premten.

“Nëse presidenti nuk jep dorëheqjen shpejt dhe vullnetarisht, Kongresi do të marrë masa”.