Aktualitet Përurohen zyrat e reja Rajonale të OSHEE Korçë, Balluku: Kushte dhe standarde...

Përurohen zyrat e reja Rajonale të OSHEE Korçë, Balluku: Kushte dhe standarde më të mira për punonjësit dhe qytetarët

Zyrat Rajonale të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në qytetin e Korçës tashmë kanë një pamje dinjitoze duke krijuar kushte dhe standarde më të mira si për punonjësit, ashtu edhe për qytetarët të cilët paraqiten pranë këtyre zyrave për të marrë shërbimet.

Në saj të një investimi me vlerë prej 60 milionë lekësh u bë e mundur rikonstruksioni i godinës duke përfshirë zyrat si dhe pajisjen e tyre me logjistikë krejtësisht të re. Ky investim ka bërë të mundur që tashmë shërbimet të ofrohen në një godinë të vetme duke bërë që qytetarët të evitojë lëvizjet nëpër disa zyra.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me administratorin e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, Adrian Çela, inspektuan ambientet e reja të godinës e cila tashmë është në funksion të plotë.

Ministrja Balluku tha se investimi në fjalë përmirëson kushtet e punës për punonjësit e kësaj zyre në mënyrë që të arrijnë objektivat e vendosura, por njëkohësisht do të bëjnë të mundur që qytetarët të marrin një shërbim më me cilësi.

“Është një investim 60 milionë lekësh i OSHEE-së, dhe çfarë është më e rëndësishme, sot të gjithë punonjësit e këtij rajonit, dhe Agjencisë që mbulon Korçën dhe Agjencinë Rajonale, janë në kushte optimale kështu që ne presim nga ana e tyre që rendimenti të jetë akoma dhe më i lartë dhe të arrihen objektivat e vendosura”, u shpreh ministrja Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, bëri të ditur gjithashtu se së shpejti do të vihet në funksion edhe dispeçeri, sipas modelit SCADA, e cila bën të mundur monitorimin dhe operimin online të rrjetit të shpërndarjes.

“Presim që shpejti të ketë edhe instalimin e SCADA-ës, pjesës teknologjike të ndjekës së sistemeve, që është e instaluar si në qendër në Tiranë por dhe në disa qytete të tjera, që do të ndihmojë ndjekjen e proceseve teknike në rajonin e Korçës, i cili është një rajon shumë i rëndësishëm dhe që ka vëmendjen e qeverisë, qoftë përsa i përket zhvillimit industrial, atij turistik duke qenë se është një nga rajonet që përfshinë dy qytete të rëndësishme siç është Korça dhe Pogradeci, por dhe zona të tjera rurale të cilat kanë potencial të madh zhvillimi turistik, bujqësor dhe industrial”, nënvizoi Balluku.

Në godinën e ri konstruktuar janë të vendosura Zyrat e Drejtorisë Rajonale, Agjencia Korçë, dispanceria, magazina si dhe qendra e kujdesit ndaj klientit, të cilat më herët ishin të shpërndara në pika të ndryshme të qytetit dhe të vendosura në ambientet të marra me qera nga ana e OSHEE.