Sport Pioli: Ibrahimovic i nevrikosur sepse Milan po humbiste. Donnarumma…

Pioli: Ibrahimovic i nevrikosur sepse Milan po humbiste. Donnarumma…

Pasi grumbulloi plot 7 pikë në një tur force që e pa përballë Lazios, Juventusit dhe Napolit (dy transferta), Milani i Stefano Piolit përgatitet për dy ndeshje brenda në “San Siro” dhe kundërshtari i radhës quhet Parma.

Trajneri kuqezi ka folur sidomos për Zlatan Ibrahimovic, që braktisi i nxehur fushën gjatë zëvendësimit, duke përplasur shishen e ujit.

“Dëmtimi që pësoi që kur rinisëm stërvitjet ka ndikuar pak në gjendjen e tij fizike. Ditën e ndeshjes do të vendos se cili do ta nisë nga fillimi në sulm. Ibrahimovic është një fitues, doli jo i lumtur në sfidën ndaj Napolit pasi po humbisnim. Është e drejtë kështu, ai është shumë i motivuar”.

“Nuk ndryshojmë filozofi”

Milani është në vend të shtatë, por për Stefano Piolin rruga nuk ka mbaruar ende dhe janë shanset të bëhet më mirë. Katër fitore dhe dy barazime në 6 ndeshjet e zhvilluara që kur u rihap futbolli flasin për një mentalitet të gjetur, por sidomos një filozofi.

“Duhet të vazhdojmë të fitojmë sa më shumë pikë nëse duam të kthehemi në Evropë. Nesër përballemi me një ekip të vështirë, duhet të jemi të përgatitur nga të gjitha pikëpamjet”, u shpreh Pioli në konferencën për shtyp.

“Kemi ndërtuar një mënyrë për të qenë në fushë dhe një mentalitet të saktë. Nuk fillojmë nga e para nesër në mbrëmje, kemi filozofinë tonë të lojës dhe mentalitetin që na ka çuar të marrim rezultate të rëndësishme. Duhet të vazhdojmë kështu. Gjashtë ndeshjet e ardhshme do të na tregojnë çfarë ekipi jemi”.

Problem i Milanit mbeten ndeshjet me ekipet e vogla, ku shpesh ka lënë pikë rrugës. “Duhet luajtur me kokë më shumë sesa me trup. Nëse do të riluanim 100 herë përballë SPAL, 99 herë do ta fitonim atë. Nuk ishim në gjendje të shënonim gola pavarësisht nga shumë shanse që kishim, por nesër duhet të ketë shumë përqendrim”.

Donnarumma

“Kritika pas ndeshjes me Napolin? Gigio ka një ekuilibër të madh. Nuk goditet pas kritikave dhe nuk lartësohet kur gjërat po shkojnë mirë. Për mua, nuk ka asnjë faj te golat e Napolit. Performanca e tij është shumë e lartë. Po përmirësohet”.