Aktualitet Pistë e re për vdekjen e Joy Ayoko: Dyshohet se bashkëpunoi me...

Pistë e re për vdekjen e Joy Ayoko: Dyshohet se bashkëpunoi me një klient të kazinosë

Policia dhe prokuroria kanë ngritur një pistë të re në lidhje me vdekjen e kenianes Joy Ayoko. Hetuesit kanë dyshime se 22-vjeçarja, e cila punonte si krupiere në një kazino në Tiranë, i ka dhënë informacion për mënyrën se si të luante një lojtari. Ky i fundit kishte futur në lojë shuma të mëdha parash.

Autoritetet kanë identifikuar lojtarin në fjalë dhe pritet që të merret në pyetje nga policia. Dëshmia e tij mund të ndihmojë hetuesit për zbardhjen e dhunimit të kenianes, gjë që çoi deri në vdekjen e saj.

Ka dyshime që manovrat e kenianes dhe lojtarit të jenë zbuluar nga stafi i kazinosë dhe kjo gjë të jetë bërë shkak për ngjarjen e rëndë.

Gjatë fundjavës u morën në pyetje gjashtë persona në lidhje me këtë ngjarje. Policia rimori në pyetje shoferin e kazinosë, Rodi Braçi dhe 5 persona të tjerë, lidhje familjare dhe shoqërore të tij. Më pas të gjithë ata lanë të lirë.

Ayoko humbi jetën në Shkurt të vitit 2023 në vendlindjen e saj, 6 muaj pasi qëndroi në koma. Hetimet kanë zbuluar se shoferi Braçi e ka lënë vajzën në hostelin ku strehohej dhe pas kësaj është dhunuar.

Shoferi ka mohuar të ketë pasur konflikte me 22-vjeçaren. Më herët në pyetje është marrë edhe shoqja e saj e dhomës, por as ajo nuk ka mundur të japë detaje të vlefshme për zbardhjen e ngjarjes.