Aktualitet Polici “i bandave” mohon akuzat, kërkon t’i merret në mbrojtje familja

Polici “i bandave” mohon akuzat, kërkon t’i merret në mbrojtje familja

Punonjësi i policisë Leonard Palushi, shefi i sektorit të vrasjeve në qarkun e Lezhës ka mohuar të ketë lidhje me akuzat për të cilat u arrestua në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”

“Kam bërë vetëm detyrën, ndoshta kam bërë më shumë se duhet. U kërkoj autoriteteve të marrin në mbrojtje familjen time. Kam një jetë që kam vënë veten në rrezik në operacione të ndryshme përfshirë goditjen e kultivimit të drogës apo arrestime të personave të rrezikshëm. Kam dy fëmijë të mitur të cilëve iu duhet siguruar jeta. Nuk kam asnjë lidhje me grupe kriminale apo persona të tillë”, mësohet të ketë thënë ai para gjyqtarit në seancën e sotme për vlerësimin e masës së sigurisë.

Megjithatë, GJKKO caktoi masën e sigurisë ‘arrest në burg’ për të deri në fund të hetimeve.

Edhe avokati i Palushit ka kërkuar që të merret në mbrojtje familja e policit pasi ndihet e rrezikuar.

Avokatët theksuan se ai ka marrë pjesë në 20 operacione arrestimi. Sipas dosjes së SPAK, Palushi kur ka shërbyer si specialist në sektorin e vrasjeve, në drejtorinë e policisë Elbasan.

Ai dyshohet se shiste informacione tek grupet kriminale dhe dekonspironte operacionet e policisë.

Palushi akuzohet orientim të gabuar të hetimit duke shpërdoruar detyrën lidhur me vrasjen e Emiljano Ramazanit.

Për vrasjen e tij, u arrestuan 4 persona, mes tyre edhe babë e bir, Albert dhe Seit Manahasa nga Peqini, pasi u dyshua se në servisin e tyre u gjet e njëjta armë zjarri e përdorur në krim.

Por nga ana tjetër, sipas Nuredin Dumanit, vrasja ishte kryer nga Skerdi Tase dhe Henrik Hoxhaj me porosi të Erjon Alibejt.

Ky i fundit, porositi vrasjen, pasi kishte informacione se Ramazani kishte bashkëpunuar në atentatin që iu bë vëllait të tij, Endrit Alibej në Elbasan tre vjet më parë, ku humbën jetën edhe dy persona të tjerë.