Aktualitet Policia jep detaje për operacionin anti-drogë në Korçë, kush janë katër të...

Policia jep detaje për operacionin anti-drogë në Korçë, kush janë katër të arrestuarit

Policia e Korçës ka dhënë detaje lidhur me operacionin e zhvilluar mbrëmjen e djeshme, ku u sekuestrua një sasi e konsiderueshme kanabisi në kufi dhe ra në pranga avokati Joni Mosku. Në një njoftim për mediat, policia bën me dije se janë arrestuar 4 persona, 3 prej të cilëve me precedent të mëparshëm penal.

Gjithsej është sekuestruar 114 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, 1 armë sportive, 4 automjete, 1 presë që shërbente për paketimin e lëndës narkotike.

Në pranga kanë rënë: Ligor Romaçka, 29 vjeç, banues në Korçë; Joni Mosku, 36 vjeç, banues në Korçë i dënuar më parë për veprën “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”; Idriz Manej, 66 vjeç, banues në Shkodër, i dënuar më parë për veprën “Trafikimi i narkotikëve”; Albion Çiko, 21 vjeç, banues në fshatin Vloçisht, Maliq i cili ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi” për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Policia sqaron se goditja e këtij grupi është bërë në Pikën e Kalimit Kufitar Goricë, ku si fillim u bë kapja e Joni Mosku, me mjetin tip “Opel Meriva”, brenda të cilit iu gjet e fshehur 66 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis.

Më tej gjatë kontrollit të një magazine në Korçë, të marrë në përdorim nga Ligor Romaçka, në brendësi të një mjeti tip “Opel Meriva”, pa targa, pa dokumentacion, u gjet një sasi tjetër prej 48 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis dhe një presë që shërben për paketimin e lëndës narkotike, si dhe gjatë kontrollit të banesës së tij, u gjet një armë sportive tip pistoletë.

Nga hetimet rezulton se bashkëpunëtorë në këtë veprimtari kriminale ishin edhe Idriz Menaj, në rolin e poseduesit të lëndës narkotike dhe Albion Çiko, i cili kishte kryer modifikimin e mjetit, me qëllim fshehjen e sasisë së lëndës narkotike.