Kryesore Porti i ri i Porto Romanos, Rama: Po të kishte nisur 30...

Porti i ri i Porto Romanos, Rama: Po të kishte nisur 30 vite më parë, sot do ishim duke i marrë frutet

Kryeministri Edi Rama, duke folur në konferencën e organizuar për Portin e ri të Porto Romanos në Durrës, u shpreh se kjo është një vepër që duhet të kishte nisur kohë më parë, pasi sot do të ishim duke i marrë frutet.

Megjithatë, sipas Ramës, kjo gjë ka nisur tani, pasi tani janë pjekur kushtet për ta vënë përpara këtë projekt, duke e hequr kështu nga ‘ajo figura e vjetër si një skenografi i Kinostudios “Shqipëria e Re”, e që nuk ka asnjë lidhje me shekullin e 21’.

“Ambicia jonë është që porti i ri të bëhet nyja më e rëndësishme strategjike e gjithë qarkullimit detar me Perëndimin dhe me gjithçka tjetër shkon përtej saj, për të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Ky është një port që e çon bashkëpunimin rajonal në një nivel krejt tjetër dhe për këtë arsye ne e kemi nisur këtë proces paralelisht në radhë të parë me Kosovën dhe ashtu siç kemi filluar punën për hekurudhën, nga ana tjetër kemi mbështetur financiarisht si qeveri studimin e fizibilitetit për Portin e thatë të Prishtinës. Një nga lajmet më të mira të Samitit ishte mes të tjerave edhe fakti se Korridori 8 është zyrtarisht i përfshirë në rrjetin e infrastrukturës së qarkullimit rrugor dhe hekurudhor të Bashkimit Evropian”, tha Rama.