Kryesore Inceneratorët, Berisha: Arsyet pse ‘tigri’ Ahmetaj ka pasur rolin kryesor

Inceneratorët, Berisha: Arsyet pse ‘tigri’ Ahmetaj ka pasur rolin kryesor

Në një deklaratë për mediat, kryedemokrati Sali Berisha ka denoncuar lidhjet mes pronarëve të inceneratorëve dhe zyrtarëve të lartë të qenërisë. Berisha tha se Klodian Zoto i inceneratorëve i ka paguar qeveritarëve, duke evidentuar ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj, udhëtime luksoze.

“Punonjësit e kompanisë Rama-Agaçi-Ahmetaj-Veliaj, kanë financuar vizitat turistike, netët e luksit në hotelet me pesë yje të Arben Ahmetajt, asokohe ministër i Ekonomisë, sigurisht jo me para të veta, por të sipërmarrjes qeveritare të vjedhur nga taksapaguesit shqiptarë.

Klodian Zoto, ka paguar me kartën e vet të kreditit, të paktën në pesë raste të raportuara qëndrimin në hotele me 5 yje të Arben Ahmetajt.

Kjo vërteton plotësisht deklaratën e PD-së dhe opozitës, e cila ka denoncuar me kohë skemën e mega-vjedhjes së 430 milionë eurove”, tha Berisha.

Ky i fundit thekson se në të ashtuquajturën aferë e inceneratorëve, Edi Rama, Ahmetaj dhe Ëngjëll Agaçi kanë rolin kryesor.

“I pari Edi Rama, përmes firmave që ka hedhur, dhe përdorimit të shefit të tij, Engjëll Agaçit, ka qenë njeriu më kryesor i të gjithë procesit korruptiv. Pra, kemi të bëjmë me një grup të strukturuar kriminal, me Edi Ramën në krye, që kanë përfituar nga kjo mega-aferë korruptive.

Edi Rama, në kundërshtim me ligjet e vendit, në kundërshtim me opinionin e Agjencisë së Prokurimeve Publike, ka firmosur kontratën me negociatat të mbyllura, në mënyrë antiligjore.

I dyti, Arben Ahmetaj, përmes njohjeve me të kërkuarit e drejtësisë, gjë që e ka mohuar vazhdimisht, ka luajtur rolin e ndërmjetësit sipas një skeme të qartë piramidale”, u shpreh Berisha.

Më tej, Berisha ka renditur disa arsye, që sipas tij vërtetojnë se Ahmetaj ka pasur rol kyç.

“Arben Ahmetaj është personi, pa firmën e të cilit, nuk mund të merrte vlerë asnjë dokument i kësaj afere. Është personi që së bashku me Edi Ramën, kanë firmosur vjedhjen nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave.

Nuk është rastësi që ministri më i fuqishëm i Ramës, Tigri i oborrit, rrëzohet në të njëjtën makinë me Zoton e tij, dhe fle në të njëjtin hotel luksoz me këtë person. Askush të mos gënjehet. Hotelet e shtrenjta nuk janë paguar me kartat e kreditit të Zotos. JO! Ato janë para të taksapaguesve shqiptarë, që Rama ua merr dhe ua kalon vetes, ministrave dhe hajdutëve të oborrit”, u shpreh Berisha.