Sport Portugalia zgjohet në 10 minutat e fundit dhe Hungaria shembet, Ronaldo thyen...

Portugalia zgjohet në 10 minutat e fundit dhe Hungaria shembet, Ronaldo thyen rekorde të tjera

Një sport më mizor se futbolli duhet ende ta shpikin. Portugalia mund 3-0 Hungarinë me të tre golat të shënuar në 10 minutat e fundit plus shtesën. Luzitanët vuajnë për 80 minuta, deri në autogolin e Orban që devijoi gjuajtjen e Raphael. Më pas hipi në katedër CR7 me dy gola, njëri me penallti.

Vëmendja maksimale në këtë takim ishte pikërisht te ylli portugez Cristiano Ronaldo, i cili u bë lojtari i vetëm që luan në 5 Europianë të ndryshëm dhe njëkohësisht futbollisti me më shumë ndeshje në këtë kompeticion.

Megjithatë pavarësisht një pjese të parë të mirë të luzitanëve, CR7 zhgënjeu në pjesën e parë, duke humbur edhe një rast flagrant, pasi u shërbye brenda zonës dhe me portën e boshatisur gjuajti keq, duke dërguar topin jashtë.

Pjesa e dytë nisi më mirë për Hungarinë, që gjeti edhe golin e avantazhit, por që u anulua për një pozicion jashtë loje dhe kur dukej se sfida po shkonte drejt barazimit, Fernando Santos bën dy zëvendësime në minutën e 81-të, duke ndryshuar tërësisht performancën e luzitanëve në fushë.

Goli i avantazhit nuk vonoi, pasi në minutën e 84-t ishte Raphael Guerreiro që u harrua në zonë dhe theu për herë të parë portierin hungarez Gulasci (topi u devijua nga hungarezi Orban, deri në atë moment më i miri në fushë(, ndërsa tre minuta më vonë, arbitri turk Cakir akordoi 11-metërsh për luzitanët që u shkaktua sërish nga Orban.

Nga pika e bardhë shkoi Cristiano Ronaldo, që këtë herë nuk mund të gabonte dhe mposhti për herë të dytë portierin hungarez, duke shkruar një tjetër kapitull të historisë, si futbollisti që ka shënuar më shumë në fazën finale të Kampionatit Europian.

Hungaria u pa totalisht e dorëzuar pas golit të dytë, ndërsa nga krahu tjetër kampionët në fuqi të Europës nuk e ulën ritmin dhe patën kohë edhe për një gol të tretë, sërish me protagonist Cristiano Ronaldon, që kompleti dopietën personale që në start.