Politika Presidenti dekreton ligjin e ri për Komisionet Hetimore

Presidenti dekreton ligjin e ri për Komisionet Hetimore

Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar ligjin e ri për Komisionet Hetimore, të propozuar dhe miratuar vetëm nga mazhoranca.

Pavarësisht thirrjes së Gazment Bardhit në fillim të këtij, kreu i shtetit dekretoi sot ligjin.

Në njoftimin e Presidencës lidhur me këtë dekret, presidenti argumenton përmes 5 pikave arsyet e vendimit të tij për t’i dekretuar këto ndryshime.

“Për sa i përket kërkesës për përfshirjen e Presidentit të Republikës në procesin e dialogut politik, kjo përbën konsideratë të një natyre të ndryshme nga konsideratat që i takojnë procedurës së kontrollit kushtetues të ligjeve. Kthimi i ligjeve për shqyrtim nuk është instrumenti kushtetues që i është dhënë Presidentit të Republikës për të lehtësuar dialogun. Ligjet nuk shpallen për hir të “dialogut politik mes palëve”, por si pjesë e procesit legjislativ, për shkakun se kalojnë me sukses filtrin kushtetues”, thuhet në pikën 5 të argumentin të presidentit, që i përgjigjet kërkesës së Bardhit drejtuar presidentit për të mos e dekretuar këtë ligj.

Komisionet Hetimore ishin molla e sherrit mes maxhorancës dhe opozitës në sesionin e kaluar parlamentar. Pas protestave të deputetëve demokratë në Kuvend, maxhoranca ndërmori nismën ligjore për të ndryshuar ligjin për Komisionet Hetimore, duke theksuar edhe më tej tensionet në sallën e Kuvendit të Shqipërisë.