Sport Presidenti Meta iu jep titullin “Mjeshtër i Madh” katër ish-futbollistëve

Presidenti Meta iu jep titullin “Mjeshtër i Madh” katër ish-futbollistëve

Katër ish-futbollistë të shquar shqiptarë janë vlerësuar me titullin “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti Ilir Meta.

Ilias Çeço, Faruk Sejdini, Skënder Gega dhe Gani Merja (Pas Vdekjes) u vlerësuan në një ceremoni të mbajtur këtë të martë në Presidencë.

“Mes shumë emocionesh, pata sot nderin dhe kënaqësinë, të vlerësoj me Titullin “Mjeshtër i Madh” katër kampionë të futbollit shqiptar, që me dashurinë për sportin, shpirtin e ekipit, pasionin dhe krenarinë për të dhënë më të mirën për Kombëtaren Kuqezi, kanë frymëzuar gjenerata sportistësh dhe të rinjsh:

Ilias Çeçon, “dirigjentin” e madh të “Dinamos” dhe Kombëtares së viteve ’60-’70;

Faruk Sejdinin, mbrojtësin e jashtëzakonshëm taktik, modern dhe inteligjent të “Dinamos” dhe ekipit Kuqezi;

Skënder Gegën, futbollistin kampion të “Partizanit”, por edhe trajnerin e suksesshëm që u riktheu të kuqve pas gati çerek shekulli titullin “Kampion”;

Dhe të paharruarin Gani Merja, lojtarin e përsosur të “Partizanit” dhe ekipit Kombëtar.

Çeço, Sejdini, Gega dhe Merja janë shembuj vlerash të pamohueshme për brezat e rinj, për të kuptuar se pa sakrifica, pa pasion dhe pa profesionalizëm nuk mund ketë të sukses”, shkroi Meta më pas në Facebook.