Aktualitet Profesor Ruka: E kemi arritur pikun, fundi i epidemisë vjen shumë shpejt

Profesor Ruka: E kemi arritur pikun, fundi i epidemisë vjen shumë shpejt

Profesor Et’hem Ruka duke iu referuar evoluimit dhe grafikut të të infektuarve me COVID-19 në vendin tonë shprehet se nuk mund të kuptohet kur e kemi arritur pikun e virusit, por në mënyrë indirekte nga shifra mbi 50% e të shëruarve kuptohet se piku ka kaluar tashmë.

“Kam ndjekur diskutimet dhe më vjen keq që disa njerëz flasin për të dhëna të shkëputura. Të dhënat duhet para që dita e parë dhe se si kanë evoluar. Nëse shikohet me kujdes, është e vështirë të thuhet se Shqipëria i përmbahet asaj kurbës klasike që ka një fillim, një kulm dhe një rënie. Ka një grafik shumë i dhëmbëzuar. 4 pika kulmonte ku ka pasur nga mbi 20 të infektuar. Për mua, nëse do të niseshim nga numri i të infektuar unë nuk kam parë ndonjë pik. Për mua kur kemi 50% të shëruar e konsideroj kalim të pikut në mënyrë indirekte. Për mua ky është një tregues domethënës”, tha Ruka.

Biologu i njohur nisur nga fakti se kemi 56% të të prekurve të shëruar tashmë, thotë se kjo mund të vijë nga disa faktorë. Një prej tyre është se spitalet tona nuk kanë qenë të mbingarkuara. Ndërsa nga ana tjetër lidhur me për qindjen e vdekshmërisë, z. Ruka tha se ajo duhet llogaritur për një 1 milion banorë pasi nëse llogaritet mbi bazën e të prekurve atëherë nuk tregon realitetin.

Profesori gjatë intervistës për ‘Ilva Now’ në EuronewsAlbania, tha se ishte shumë i interesuar për të njohur përbërjen sociale të të sëmurëve me koronavirus në vendin tonë në mënyrë që të kuptonte nëse bëhet fjalë për ndonjë grup që nuk e kupton rrezikun e virusit.

Ruka duke i cilësuar të dhënat e deritanishme si shumë favorizuese për Shqipërinë, parashikon që fundi i epidemisë në vendin tonë do të vijë shumë shpejt. Por ai ka dhe një paralajmërim. “Mendoj se hapja graduale është gjë e mirë, por hapja nuk do të thotë se do të fillojmë stilin e jetesës që kemi pasur para kësaj pandemie’, tha ai.

Sa i takon diskutimeve të vazhdueshme se virusi COVID-19 mund të jenë prodhuar nga një laborator, Ruka u shpreh se fituesi i çmimit Nobel, Luc Antoine Montagnier, virolog francez, ka shprehur mendimin se virusi është krijuar me idenë për të zbulua vaksinë kundër HIV, por dalja nga laboratori ka shkaktuar më pas pandeminë. Gjithashtu mjeku i njohur francez thotë se, valët 5G shkaktojnë mutacion të virusit duke ndikuar në përhapjen e tij masive. Por ideja e tij është kundërshtuar tha Ruka nga shkencëtarë të tjerë të cilët thonë se, këto sekuenca të evidentuara nga Montagnier janë gjetur dhe të viruse të tjera.