Extra Profil/ Transformimi i pabesueshëm i Dua Lipës

Profil/ Transformimi i pabesueshëm i Dua Lipës

Dua Lipa po i kalon përmasat e një këngëtareje me famë botërore. Pavarësisht moshës së saj super të re, ajo po merr ditë për ditë profilin e një artisteje të angazhuar. Pasqyra më e dukshme e kësaj ishte sezoni i dytë i festivalit “Sunny Hill”, i cili sapo përfundoi në parkun e Gërmisë në Prishtinë. Aty ajo jo vetëm arriti të mbledhë artistë të mëdhenj në qytetin e saj të origjinës, jo vetëm po grumbullon para për fondacionin e saj dhe të të atit Dukagjin Lipa për të ndihmuar zhvillimin artistik të të rinjve dhe fëmijëve të Kosovës, por po shërben edhe si një ikonë për të tërhequr vëmendjen e mediave botërore ndaj Kosovës.

Mbrëmjen e kaluar, këngëtarja Dua Lipa u filmua gjatë festivalit “Sunny Hill” në Prishtinë teksa vallëzonte me flamurin shqiptar në krah “Vallen e Tropojës”.

“Disa net, duhet të ngrihesh dhe t’u tregosh njerëzve se sa shqiptare je”- ka shkruar ajo në instagram ku ka 232 milionë ndjekës.

Natën e dytë, njëri nga shumë artistët që performonte, reperi shqiptar në Amerikë, Gashi, shkoi tek vendi ku po qëndronte ylli shqiptar, Dua Lipa. Gashi i kërkoi ‘Dj’ që të vinte këngën e famshme të ‘Shotës’ dhe nën ritmet e kësaj kënge kërceu me Duan.

Këngëtarja shqiptare mbante flamurin kombëtar duke kërcyer në një video që bëri xhiron e botës. Madje fama e saj mbërriti deri në shtetin fqinjë Serbi, mediat e të cilit rrallë shkruajnë për jetën artistike të shqiptarëve. Këtë herë vallja e Shotës u tregua edhe nga media serbe “Telegraf.rs”:

“Këngëtarja britanike me origjinë shqiptare, Dua Lipa, ishte një nga yjet e festivalit “Sunny Hill” në Prishtinë. Ajo nuk e fshehu lumturinë dhe kjo dukej në videot e postuara nga ajo. Konkretisht, Dua së pari bëri shqiponjën duke simbolizuar “Shqipërinë e Madhe” gjë që i kënaqi fansat e saj në Prishtinë”, shkroi media serbe.

Mirëpo “Sunny Hill” nuk është vetëm platforma ku shkëlqen Dua Lipa, ajo po e bën këtë aktivitet një mundësi edhe për artistë të mëdhenj botërorë që të performojnë në Kosovë. Këtë herë radha qe e Miley Cyrus, të cilën kolegia e saj shqiptare e prezantoi si “mbretëreshë të muzikës”.

Performanca e saj në parkun e Gërmisë nuk i shpëtoi as gazetës Daily Mail: “Ish-ylli i Disneyt, Hannah Montana, u paraqit me një palë pantallona të zeza lëkure të cilat i kombinoi me një palë çizme të larta”, shkroi tabloidi britanik për paraqitjen e saj në “Sunny Hill” në Prishtinë.

Por, ylli i popit pas këtij aktiviteti do të dhurojë edhe 25 mijë euro për fondacionin e Duas me aktivitet në Prishtinë. Sepse përpos festivalit, njohjes së Kosovës në skenën ndërkombëtare, Dua dhe i ati i saj duan që të nxisin edhe jetën artistike të rinisë prishtinase.

Pikërisht për ngritjen e një akademie artistike, Sunny Hill Foundation po i jep 150 mijë euro bashkisë së këtij qyteti. “Ka qenë ëndërr e madhe për me mujt me pas një hapësirë ku fëmijët dhe rinia munden me ardh, sepse po e dimë sa ka talente këtu. Po ndjehem krenare që sot po e bëjmë nënshkrimin”, tha Dua Lipa gjatë firmosjes së kësaj marrëveshje me kryebashkiakun e Prishtinës, Shpend Ahmeti. “Dua është ndoshta ambasadori më i mirë i Prishtinës dhe Kosovës në botë sot”, tha ai pas finalizimit të kësaj kontrate.

Prandaj mos u çudisni, nëse e keni dëgjuar Dua Lipën të këndojë, nëse e keni ndjekur në tabloidet rozë për idilin e saj të fundit me Anwar Hadid, ju nuk dini gjithçka prej saj.

Sepse ajo që di të bëjë patrioten në koncerte duke kërcyer valle shqiptare me flamurin me shqiponjë, po bëhet e tillë edhe në jetën reale. Dua po fiton profilin e një artisteje të angazhuar. Jo vetëm duke organizuar festivalin Sunny Hill, por edhe duke ndihmuar artistët e rinj të Kosovës./ Lapsi.al