Bota Putin feston 70-vjetorin: 33 fakte për njeriun që mund të shkaktojë Luftën...

Putin feston 70-vjetorin: 33 fakte për njeriun që mund të shkaktojë Luftën e Tretë Botërore

Presidenti rus Vladimir Putin feston sot ditëlindjen e tij të 70-të.

Jubileu vjen në një kohë kur lideri gjithnjë e më autoritar përballet me disa nga sfidat më të frikshme të dy dekadave të tij në pushtet.

Putin ka mbi 23 vjet si president apo kryeministër.

Megjithëse sondazhet në Rusi janë shumë të kufizuara dhe duhen interpretuar me kujdes, qendra Levada ka regjistruar vlerësimin e miratimit të Putinit në mbi 80 përqind për pjesën më të madhe të vitit 2022. Në gusht, shifra ishte 83 përqind. Por në shtator, miratimi i Putinit ra në 77 përqind.

Urimet e para kanë ardhur nga vartësit dhe Patriarku Kirill, i cili u lut për shëndetin e udhëheqësit më me ndikim në Rusi që nga koha e Josef Stalinit.

Putini i cili erdhi në pushtet në vitin 1999 po përballet ndoshta me sfidën më të madhe që shkaktoi pushtimi i Ukrainës, konfrontimin më të ashpër me Perëndimin që prej krizës së raketave kubane në 1962-shin.

Kjo ditëlindje vjen pasi kanë kaluar mbi 200 ditë nga fillimi i luftës në Ukrainë, ku kanë mbetur të vrarë dhjetëra mijëra njerëz.

Në vitet e kaluara, Putin ka festuar duke bërë udhëtime, duke ecur në Siberi me ministrin e Mbrojtjes Sergei Shoigu ose duke luajtur në një lojë hokeji. Duket se këtë ditëlindje shefi i Kremlinit do ta kalojë në punë, teksa sot pritet të ketë një takim në Shën Petersburg me krerët e shteteve të bllokut politik të udhëhequr nga Moska.

Ditëlindja e Putinit do të festohet në Republikën Kaukazit të Veriut të Çeçenisë. Udhëheqësi Ramzan Kadyrov ka premtuar evente të mëdha, si gara me kuaj, hapjen e ceremonisë për një qendër trajnimi xhudoje me Putin, një tifoz i njohur i arteve marciale.

33 fakte që mund të mos i dini për Putinin

1- Putin lindi më 7 tetor 1952 në Shën Pjetërburg ose në Leningrad, siç njihej atëherë.

2- “Vij nga një familje e zakonshme”, shkroi vetë Putin. “Jetoja si një njeri i zakonshëm”. Nëna e tij, Maria, ishte një punëtore fabrike dhe babai i tij, Vladimir, i plagosur në Luftën e Dytë Botërore, punonte në hekurudhë. Vëllai më i madh i Putinit vdiq në fëmijëri.

3- Putin, është i divorcuar nga gruaja e tij Ljudmilla Putin, një gjuhëtare dhe ish-stjuardesë me të cilën ai u martua në korrik 1983. “Ne praktikisht nuk e pamë kurrë njëri-tjetrin. Secili jetën e vet”, tha Putin kur çifti lajmëroi ndarjen në 2014, duke u bërë udhëheqësi i parë rus që divorcohet nga gruaja e tij pas Pjetrit të Madh në vitin 1698.

Foto e presidentit rus Vladimir Putin dhe ish-gruas së tij Ludmilla

3- Putin ka dy vajza, Maria (e lindur në vitin 1985) dhe Katerina (e lindur në vitin 1986), të dyja pak të para në publik. Ato mendohet se kanë mësuar në shkolla të gjuhës gjermane dhe në Universitetin shtetëror të Shën Pjetërburgut. Maria ka studiuar biologji, ndërsa Katerina studime aziatike. Madje vetë numri i fëmijëve të sjellë në jetë nga Putin ka qenë subjekt i shumë spekulimeve.

4- Numri i saktë i fëmijëve të tij mbetet ende një enigmë e madhe. Kjo sepse ai është përfolur shpesh për lidhje jashtëmartesore, siç ishte ajo që mori jehonë në 2021, pas publikimit të dokumenteve të klasifikuara të Pandora Papers, të cilat akuzuan Putin se kishte blerë heshtjen e një prej të dashurave të tij, duke vendosur një apartamenti në Monako në emrin e saj. Kjo ishte pikërisht Svetlana Krivonogikh – një grua ruse e cila raportohet të ketë punuar si pastruese në Shën Pjetërburg. Kremlin sigurisht i ka përgënjeshtruar të gjitha këto aludime.

Foto e Putin me gjimnasten ruse Alina Kabaeva.

5- Putin është përfolur shpesh se ka pasur një lidhje jashtëmartesore me gjimnasten dhe kampionen olimpike ruse Alina Kabaeva dhe se me të ka dy vajza të tjera. Por sërish Kremlin i ka mohuar këto akuza pavarësisht faktit se në web gjenden dhjetëra foto të saj me Putin

6- Në vitet që pasuan pushtimin e Leningradit, që për pak sa nuk i vranë të ëmën, familja u detyrua të zhvendoset në një ndërtesë komunale me parazitë. Putin kalonte orë të tëra duke ndjekur minjtë. Katër të rritur dhe dy fëmijë jetuan në një gjendje të mjerueshme.

7- Në vitin 1930, babai i Putinit hyri në Marinën Sovjetike, pjesë e nëndetëseve, më pas ai luftoi në vijën e parë të frontit kundër Gjermanisë në Luftën e Dytë Botërore. Putin vetë ka thënë: “babai im u caktua në batalionin e shkatërrimit që synonte të sabotonte gjermanët”. I gjendur në një situatë të vështirë në frontin e luftës, babai i Putinit vazhdoi t’u mbijetonte ngjarjeve të ngarkuara të Luftës një e nga një, derisa një granatë gjermane i dëmtoi këmbët dhe ai mbeti përjetë i gjymtuar.

8- Putin u ndikua shumë prej gjyshit, Spiridon Ivanoviç Putin, një kuzhinier i aftë që punonte për Leninin dhe më pas për Stalinin. “Gjyshi i Putinit jetoi më gjatë se tiranët që ai ushqeu aq mirë”, shkruan Katusa në “Lufta më e ftohtë”. Ai mendohet të ketë qenë i stërvitur nga NKVD (paraardhëse e KGB-së) dhe vdiq kur nipi ishte në moshën 13-vjeçare.

9- Putin është një njohës shumë i mirë i gjuhës gjermane dhe gjithë dialekteve të saj.

10- Edhe pse ishte e ndaluar me ligj, nëna e tij e ka pagëzuar fshehurazi në kishën ortodokse. Kur ishte i ri e thërrisnin Putka.

11- Putin u rrit si një ngatërrestar. Ai ishte i dhënë pas dhunës dhe si student doli përpara një ‘gjykate të lagjes’ për aktet e tij jo të mira.

12- Në moshën 11-vjeçare, Putin ka filluar të merret me boksin pasi e rrihnin fëmijët e lagjes. Në moshën 12-vjeçare kaloi te xhudo, karateja dhe sambo, një art sovjetik marcial. Sportet i dhanë Putinit një fokus dhe e ndihmuan të arrinte gjatësinë 170 centimetra. “Por edhe kjo nuk ishte mjaftueshëm për të ruajtur statusin tim për shumë gjatë”, ka thënë Putin. “Kuptova se duhej të mësoja gjithashtu mirë.

13- Kur ai u interesua për jetën e spiunazhit, kuptoi se shkolla e drejtësisë ishte çelësi për të hyrë në KGB, ndaj mori një vendim për të ndryshuar jetën.

14- Putin hyri në Universitetin e Leningradit në 1970, duke fituar diplomën e tij të parë në drejtësi pas pesë vjetësh.

15- Në moshën 22-vjeçare u rekrutua nga KGB dhe për 16 vitet e ardhshme punoi si një “specialist në burimet njerëzore”.

16- I rrjedhshëm në gjermanisht dhe në gjendje për t’u dukur si nordik, Putin u vendos në Dresden në Republikën Demokratike Gjermane në 1985 dhe kaloi pesë vite në operacione të fshehta. Ai u ngrit disa herë në detyrë.

17- “Ishte ekspert në leximin dhe manipulimin e njerëzve dhe i vetëpërmbajtur nga dhuna”, shkruan Marin Katusa, autor i librit “Lufta më e Ftohtë: Si tregtia e energjisë rrëshqiti nga zotërimi i Amerikës”. “Këto ishin cilësi të domosdoshme për këdo që donte të ngjitej në majën e politikës ruse”.

18- Kur Muri i Berlinit ra në 1989, ditët e fshehura të Putinit morën fund. Ai iu kthye universitetit dhe teza e tij e doktoraturës argumentonte se suksesi ekonomik i Rusisë, do të varej shumë nga shfrytëzimi i burimeve të energjisë.

19- Putin më pas i hyri politikës dhe karriera i lulëzoi. Në 1999, Boris Jelcin e përzgjodhi Putinin të ishte kryeministër ‘me perspektivë’. Putin vetë është shprehur: “Mendova se, nëse do të mund të bëja diçka për ta shpëtuar Rusinë nga rënia, kjo do të më bënte krenar”.

20- Putin pothuajse gjithnjë vepron ushtarakisht, pasi ka bërë mirë llogaritë. “Ai i peshon me kujdes kostot dhe rreziqet e veprimeve, duke marrë parasysh përfitimin që i vjen atdheut”, paralajmëron Katusa.

21- Putin pëlqen ‘Bitëllsat’. I preferuari i tij është Paul McCartney dhe kënga e parapëlqyer është “Yesterday” (Dje).

22- Nuk pi duhan dhe rrallë konsumon alkool.

23- Putin është bashkautor i një libri mbi sportin e tij të preferuar me titull “Xhudo: Histori, teori, praktikë”.

24- Dy vëllezërit e tij më të mëdhenj i kanë vdekur që fëmijë.

25- I ka rënë pianos për raste bamirësie. Në vitin 2010, Putin shokoi audiencën me aftësitë e tij muzikore kur ishte pjesëmarrës në një event bamirësie në Shën Petersburg. Ai shkoi te piano dhe filloi të luante. Më pas mori mikrofonin dhe këndoi një këngë popullore amerikane “Blueberry Hill” me një anglishte perfekte. Pjesë e audiencës ishin edhe Sharon Stone dhe Kurt Russell.

26- Vonesat e qëllimshme. Në vitin 2013, Papa Françesku bëri vizitën e tij të parë në Rusi. Papa do të takohej me Vladimir Putin, por diçka e çuditshme ndodhi. Papa priti për 50 minuta. Më në fund Putin erdhi. Por kjo nuk është hera e parë që Putin e bën këtë veprim. Sipas gazetarëve, Putin gjithnjë vonohet me orë të tëra gjatë konferencave për shtyp apo daljeve në publik. Në vitin 2012, Putin e la të priste Sekretarin amerikan të Shtetit për 3 orë. Demonstrim force?

27- Më 19 Dhjetor të 2007-ës titullohet “Njeriu i Vitit” nga revista “TIME”. Është shpallur disa herë nga revista Forbes si “Njeriu më i fuqishëm në botë”.

28- Ka shuar zjarr me helikopter si bashkë-pilot (11 gusht 2010). Ka qëlluar me qetësues një tigër (në 2008-ën, te parku kombëtar “Ussuri”) Më pas i mati gjatësinë e dhëmbit. Qëlloi me hark një balenë që ekspertët të merrnin më vonë analiza prejardhjeje.

29- Edward Lucas, autor i librit “Lufta e Re e Ftohtë” thotë për Putin: “Ai ka bindjen se Rusisë ia bënë me hile në vitet 1990 dhe se Bashkimi Sovjetik u rrëzua dhe u turpërua nga Perëndimi; ai mendon se ka ardhur koha të rikthehet statusi dhe territori i mëparshëm”.

30- Megjithë pozitën që ka, Presidenti Putin pohoi në një intervistë me agjencinë shtetërore ruse të lajmeve se nuk ka shumë miq: “Nuk ndjehem i vetmuar, megjithëse tingëllon e çuditshme. Por nuk kam shumë takime me miq, apo kontakte me shokë”.

31- Putin përpiqet gjithmonë të reflektojë një imazh burrërie. Vështirë të harrohet fotografia ku ai pat dalë pa këmishë, hipur në kalë, apo kur vizitonte mbetjet e një nëndetëseje si dhe kur fluturonte pranë një tufe lejlekësh me një avion të vogël. Analistët thonë se tipare të tilla komplekse të karakterit të presidentit rus janë të nevojshme për të kuptuar individin që fshihet pas udhëheqësit të Kremlinit: një president dhe një ish-spiun i vendosur për t’i rikthyer me çdo kusht Rusisë lavdinë e mëparshme.

32- Nuk është aq i ashpër sa ç’duket. Putin sipas biografëve ka pasur 28 të dashura gjatë operimit të tij në KGB, aq sa mori edhe nominimin si “killer latin lover”.

33- Putin ka fituar për vite me radhë reputacionin e njeriut të ashpër dhe të ftohtë. Por në dallim me atë çfarë mendohet për liderin e Rusisë, ai njihet dhe si një njeri që është i dashuruar me kafshët. Ka qindra fotografi të Putin ku del me kafshë të ndryshme. Shpenzon një kohë të madhe me kafshët e tij. Kafsha e preferuar e Putin është qeni. Në shumë raste, presidenti rus ka deklaruar se më shumë preferon qentë se sa qeniet njerëzore. “Qenve të mi do ua besoja verbërisht jetën. Qenieve njerëzore nuk mund t’u besosh njëqind përqind”, ka thënë Putin.