Bota Putin fiton zgjedhjet në Rusi, lideri më jetëgjatë në pushtet pas Stalinit:...

Putin fiton zgjedhjet në Rusi, lideri më jetëgjatë në pushtet pas Stalinit: Asnjë nuk na tremb

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka fituar një mandat të pestë në pushtet, në një proces zgjedhor tejet të kontrolluar, teksa synon të shpërfaqë mbështetjen e popullit për luftën në Ukrainë dhe për politikat gjithnjë e më shtypëse.

Putin, 71-vjeçar – i cili ka udhëhequr si president ose si kryeministër prej vitit 2000 – pritet të tejkalojë udhëheqësinë gati 30-vjeçare të Josef Stalinit, kur ta përfundojë këtë mandat të ri. Kështu, Putin do të bëhet lideri që ka udhëhequr më së gjati në Rusi në më shumë se dy shekuj.

Pas 99.68 për qind të votave të numëruara, Putin është thënë të ketë fituar 87.32 për qind të votave – shifër rekorde pas rënies së Bashkimit Sovjetik.

Komiteti Qendror Zgjedhor ka thënë që më shumë se 70 për qind e popullsisë e ka shfrytëzuar të drejtën e votës përgjatë tri ditëve të zgjedhjeve.

Duke iu drejtuar rusëve, Putin falënderoi ata që shkuan në votime dhe krijuan kushtet për “stabilizimin dhe forcimin e brendshëm politik”, dy vjet pas pushtimit ushtarak rus të Ukrainës dhe sanksioneve të pashembullta perëndimore që pasuan.

“Dua t’ju falënderoj të gjithë ju, si dhe të gjithë qytetarët e vendit, për mbështetjen dhe besimin tuaj,” tha ai përpara se të premtonte se Rusia do të përballet me të gjithë kundërshtarët e saj.

“Nuk ka rëndësi kush dëshiron të na frikësojë apo në çfarë pike, kush do të na shtypë apo në çfarë pike.

Askush nuk ka arritur ta bëjë një gjë të tillë në histori. Kjo nuk ka asnjë efekt sot dhe nuk do të ketë në të ardhmen”, tha presidenti 71-vjeçar rus.

Votimet e mbajtura më 15-17 mars janë të parat për Putinin, prej nisjes së luftës në Ukrainë, më 2022, e cila ka lënë të vrarë mijëra shtetas rusë, ua ka vështirësuar jetën dhjetëra mijërave tjerëve, dhe i ka shkëputur gati krejtësisht lidhjet me Perëndimin.

Në mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, që konsiderohen të manipuluara, Putin dëshiron të tregojë se e ka mbështetjen e plotë të popullit, kanë thënë ekspertët.

Synimi i Kremlinit “është që të ketë mbështetje për luftën e Rusisë në Ukrainë. Ideja është që miliona rusë t’i miratojnë vendimet e Putinit, që janë bërë në dy vjetët e fundit”, ka thënë Maksim Trudolyubov, hulumtues i lartë në Institutin Kennan, në një shkrim para zgjedhjeve.

Në disa deklarata të bëra pak pas shpalljes së fitores së tij, Putin ka thënë se zgjedhjet kanë treguar se kombi është “një ekip”.

Në këto zgjedhje Putin ka garuar me tre bura të panjohur, politikanë të afërt me Kremlinin, fushatat zgjedhore të të cilëve kanë qenë pak të vërejtshme.

Vëzhguesve të pavarur u është pamundësuar pjesëmarrja në zgjedhje, për herë të parë në historinë post-sovjetike, kanë thënë ekspertët.

Votimet janë mbajtur edhe në territoret ukrainase të pushtuara prej Rusisë, ku gjenden qindra mijëra ushtarë rusë.