Bota Putin paralajmëron Perëndimin pas fitores: Jemi vetëm një hap nga Lufta e...

Putin paralajmëron Perëndimin pas fitores: Jemi vetëm një hap nga Lufta e Tretë Botërore

Në një fitore që nuk ishte kurrë në dyshim, pasi rezultatet nënvizuan kontrollin e plotë të liderit rus mbi sistemin politik të vendit, Vladimir Putin paralajmëroi sërish Perëndimin se një konflikt i drejtpërdrejtë midis Rusisë dhe NATO-s do të nënkuptonte se bota ishte një hap larg Luftës së Tretë Botërore.

Ai mbajti një fjalim pas rezultateve të cilat sipas tij treguan besim dhe shpresë të plotë tek ai. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Rusisë, Putin siguroi 87% të votave me mbi 99% të zonave të numëruara.

“Mendoj se çdo gjë është e mundur në botën moderne. Por unë e kam thënë tashmë këtë dhe është e qartë për të gjithë se ky konflikti midis Rusisë dhe NATO-s do të jetë vetëm një hap larg nga një Luftë e Tretë Botërore në shkallë të gjerë. Unë nuk mendoj se dikush është i interesuar për këtë.”

Sipas Putin, ushtarë të shumtë nga vendet anëtare të NATO-s janë vendosur tashmë në Ukrainë.

“Ne tashmë e dimë këtë”, tha ai duke shtuar se frëngjishtja dhe anglishtja ishin dëgjuar tashmë në fushën e betejës.

“Kjo nuk është asgjë e mirë, veçanërisht për ta, sepse ata po vdesin atje në një numër të madh”, tha Putin, por pa e vërtetuar këtë pretendim.

I pyetur nëse e konsideron të nevojshme marrjen e rajonit të Kharkiv-it të Ukrainës, Putin tha se nëse sulmet vazhdojnë, Rusia do të krijojë një zonë për të mbrojtur territorin rus. Mes të tjerash ai u shpreh se Rusia do të duhet të mendojë se me kë mund të bisedojë për mundësinë e paqes në Ukrainë.

“Nuk e përjashtoj që, duke pasur parasysh ngjarjet tragjike që ndodhin sot, do të detyrohemi në një moment, kur ta gjykojmë të përshtatshme, të krijojmë një zonë të caktuar në territoret aktuale në varësi të regjimit të Kievit, të krijojmë një zonë sigurie që do të jetë mjaft e vështirë.”

Edhe pse e veja e ish-liderit të opozitës Alexei Navalny bëri thirrje rusëve për protesta në ditën e fundit të zgjedhjeve, lideri i Kremlinit u shpreh se opozita nuk kishte asnjë efekt. Në komentet e tij pas zgjedhjeve, ai konfirmoi se kishte rënë dakord për një shkëmbim të të burgosurve që përfshinte Navalny përpara vdekjes së tij në burg muajin e kaluar.

“Unë thashë: “Jam dakord”. Kisha një kusht ta shkëmbejmë, por ai nuk kthehet më. Sa i përket zotit Navalny është një ngjarje e trishtueshme. Kemi pasur raste të tjera që kanë ndërruar jetë njerëz në burgje. A nuk ka ndodhur kjo në Shtetet e Bashkuara? Ka ndodhur dhe në mënyrë të përsëritur.”

Putin hodhi poshtë kritikat e Shteteve të Bashkuara dhe Perëndimit për zgjedhjet, të cilat Shtëpia e Bardhë tha se nuk ishin të lira dhe të drejta, duke thënë se zgjedhjet në SHBA nuk ishin demokratike. Një tjetër mandat gjashtë vjeçar, është kritikuar ashpër edhe nga liderë të tjerë.

“Pseudo-zgjedhjet në Rusi nuk janë as të lira as të drejta, rezultati nuk do të befasojë askënd. Sundimi i Putinit është autoritar, mbështetet ai mbi censurën, represionin dhe dhunën,” thuhet në deklaratën e ministrisë së Jashtme të Gjermanisë.

Gjermania, Britania e Madhe dhe Sllovakia kritikuan rezultatet për shkak të burgosjes së kundërshtarëve politikë dhe censurës, ndërsa Sekretari i Jashtëm britanik David Cameron tha se zgjedhjet nuk ishin “të lira dhe të drejta”.

“Janë zgjedhje të pandershme dhe jo të lira mes mungesës së monitorimit të pavarur të OSBE-së,” shkruajti në platformën X ministri i jashtëm i Britanisë së Madhe David Cameron.

Liderët e Bolivisë, Kubës dhe Venezuelës uruan Putinin për rizgjedhjen e tij.