Bota Putin, liderët botërorë dhe obsesioni me ADN-në

Putin, liderët botërorë dhe obsesioni me ADN-në

Përpara tryezës së Putinit dhe testeve molekulare të refuzuara nga Macron dhe Scholz, ka pasur një sërë intrigash për të marrë në dorë të dhënat biometrike të liderëve të huaj: të gjitha rastet e famshme, nga feçet e filipinasit Marcos deri te tualeti i koreano-veriorit Kim Jong-un.

Guido Olimpio dhe Paolo Valentino – Corriere

Të ardhur në Moskë brenda një jave nga njëri-tjetri për të takuar Vladimir Putinin, si Emmanuel Macron ashtu edhe Olaf Scholz refuzuan të bënin testin molekular për Covid të ofruar nga shërbimet mjekësore të Kremlinit. Por meqenëse ishte e domosdoshme për të takuar presidentin rus, presidenti francez dhe kancelari gjerman iu nënshtruan një PCR-je të kryer nga mjekët e ambasadave të tyre përkatëse, me pajisje të sjella nga Franca dhe Gjermania. Personeli mjekësor rus u ftua të marrë pjesë në testim. Arsyeja e refuzimit është se Macron dhe Scholz nuk donin që rusët të merrnin ADN-në e tyre.

Por pse shërbimet e Kremlinit do të ishin kaq të interesuara për kodin gjenetik të dy liderëve? Sidomos pasi nuk do të ishte aq e vështirë për ta marrë atë, me vetëm një gotë të përdorur nga dy ose disa fije floku të mbetura në një karrige. “Së pari, nuk do të ishte aq e qartë dhe e lexueshme sa ajo e marrë nga një test Covid, – shpjegon Florian Schimikowski, historian i Muzeut Gjerman të Spiunazhit, – por çështja është se të dhënat janë bërë mallra të çmuara dhe gjurmët gjenetike janë sigurisht ato më të ndjeshmet dhe personalet. Një minierë e vërtetë ari për shërbimet sekrete, qoftë edhe për referencë në të ardhmen”.

Është fakt se shumë agjenci të inteligjencës kanë qenë gjithmonë të interesuara për të dhënat biometrike të njerëzve. Në Shtetet e Bashkuara, thashethemet e pakonfirmuara pretendojnë se CIA ka akses në arkivat e ADN-së, të krijuara me prova të dërguara falas nga qytetarët privatë, për shembull për kërkime gjenealogjike. “WikiLeaks” citon një urdhër nga Hillary Clinton, në kohën kur ishte Sekretare e Shtetit, për të marrë çdo detaj individual, përfshirë ADN-në, të eksponentëve afrikanë. Është një histori që shkon prapa.

Ronald Reagan me presidentin filipinas Ferdinand Marcos: në vitet ’80 inteligjenca amerikane i vodhi ADN-në

Në vitet 1980, inteligjenca amerikane dyshohet se vodhi feçet e presidentit të Filipineve, Ferdinand Marcos. Nga ana tjetër, është e sigurt se janë mbledhur të dhënat mjekësore të Sadam Huseinit dhe liderëve të tjerë arabë në spitalet perëndimore.

Në shkurt 1999, Mossad dyshohet se mori urinën e liderit sirian Hafez Assad gjatë funeralit të mbretit Husein në Jordani, një lëvizje për të kuptuar gjendjen e tij shëndetësore në funksion të negociatave të mundshme. A mund të vërë bast Izraeli për një të sëmurë?

Një histori e konsideruar nga disa si një legjendë urbane, por që ka lënë gjurmë. Aq sa diktatori i Koresë së Veriut, Kim Jong un, me rastin e samitit me Donald Trump në Singapor në vitin 2018, solli me vete tualetin e tij personal. Këtu vlen thënia “ashtu bëjnë të gjithë”.

Në Republikën Demokratike të Gjermanisë  (RDGJ), Stasi (Ministria për Sigurinë e Shtetit) mblodhi gjithashtu në arkivat e saj prova nuhatëse të armiqve të regjimit. Sipas Schimikowski, mjeshtrit e tij rusë gjithashtu mblodhën të dhëna personale gjenetike dhe me shumë mundësi “pasioni” mbetet.

Por çfarë dobie ka në rastin e liderëve politikë të huaj? Jo vetëm për të kuptuar gjendjen e tyre shëndetësore dhe për të nxjerrë pasoja politike, siç ndodhi me Asadin, por edhe për të gjetur ndonjë sëmundje trashëgimore apo origjinën e paraardhësve të tyre. Të gjitha informacionet që teorikisht mund të përdoren për qëllime shantazhi ose propagande negative. Ose shërbimet mund t’i përdorin të dhënat për të komplotuar kurthe, për të fabrikuar lajme të rreme dhe për të përfshirë padrejtësisht një kryeministër, ministër ose deputet në një krim ose lidhje jashtëmartesore.

“Kur diplomacia përfundon dhe një luftë fillon, loja bëhet e ashpër dhe masat e pista teorikisht bëhen pjesë e arsenalit”, thotë Schimikoëski. Prandaj, shqetësimet e Macron dhe Scholz kuptohen më mirë, megjithëse nuk ka indikacione konkrete se PCR e kërkuar nga Kremlini kishte gjithashtu motive të fshehta. Nga ana tjetër, vetë Vladimir Putin ishte shumë vigjilent për sigurinë e ADN-së së tij, edhe para shpërthimit të pandemisë.

Në samitin e G20 në Osaka në vitin 2019, shefi i Kremlinit ecte me një termus personal të mbushur me çaj. Fotot e tregojnë atë duke pirë direkt nga kontejneri, me Donald Trump pranë tij duke pirë Coca Cola nga një filxhan qelqi. Megjithatë, sipas Ronald Kessler, autor i një libri mbi Shërbimin Sekret, deri pak vite më parë agjentët ishin të shqetësuar për grumbullimin e çdo objekti, përfshirë edhe çarçafët, të përdorura nga presidenti në detyrat e tij jashtë Shtëpisë së Bardhë. Por ndoshta, në Moskë ata kanë më shumë se një filxhan.