Bota Putini ngre tunelin special dezinfektues për t’u mbrojtur nga COVID-19 (VIDEO)

Putini ngre tunelin special dezinfektues për t’u mbrojtur nga COVID-19 (VIDEO)

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e ka marrë shumë seriozisht koronavirusin dhe po mbrohet nga çdo infektim i mundshëm duke ngritur një tunel të veçantë dezinfektimi, nga ku duhet të kalojë çdo vizitor i tij.

Agjencia ruse e lajmeve RIA, raporton se tuneli është instaluar në rezidencën e tij zyrtare Novo-Ogaryovo jashtë Moskës, dhe çdo vizitor duhet të kalojë përmes këtij tuneli, ku një re e lëngshme dezinfektanti mbulon rrobat e njerëzve që futen aty dhe pjesët e trupit të ekspozuara.

Tuneli special, është prodhuar nga një kompani ruse me qendër në qytetin e Penzës.

Pamjet e tunelit, të publikuara nga RIA, tregojnë si njerëzit e maskuar kalojnë përmes tij duke u spërkatur me dezinfektues nga tavani dhe anash.

Në muajin prill, zëdhënësi i presidentit Putin tha se kushdo që takonte personalisht Putinin ishte testuar për virusin më parë. Por në muaj më vonë, zëdhënësi Dmitry Peskov tha që ai ishte infektuar vetë.

Rusia ka raportuar më shumë se 500 mijë infeksione, vendi i tretë në botë me numrin më të lartë të personave të prekur nga COVID-19, pas Brazilit dhe SHBA-së. Por nga ana tjetër ka një normë më të ulët të vdekshmërisë në krahasim me shumë vende të tjera. Deri tani Rusia ka regjistruar 7.228 vdekje.