Kryesore Qeveria tek(to)nike e çadrës

Qeveria tek(to)nike e çadrës

Lekë Gazuli

Pas një letargjie të gjatë, ideja e qeverisë teknike rilindi në momentin më absurd. Vetëm pak javë përpara zgjedhjeve të përgjithshme.

Në teorinë dhe praktikën politike, qeveritë teknike, si rregull, krijohen për të kapërcyer periudha të paktit elektoral, kur si pasojë e një rezultati shumë të balancuar të zgjedhjeve të përgjithshme, asnjë parti nuk arrin të krijojë shumicën e kërkuar parlamentare për të bërë qeverinë. Në kushte të tilla, administrimi i vendit u lihet përkohësisht në dorë eksperteve jo partiakë, deri sa të krijohen kushte që shumica e zgjedhur në mënyrë demokratike të përfaqësojë në qeveri vullnetin e popullit.

Shqipëria e sotme ka mjaft sfida dhe vështirësi. Por ajo nuk ka asnjë problem me përfaqësimin e shumicës së popullit në qeverinë e saj. Qeveria e sotme e vendit mbështetet nga një shumicë parlamentare, pothuajse rekord për historinë e demokracisë sonë të re.

Ndryshe nga qeveritë e zakonshme, qeveritë teknike mbështeten nga shumca shumë të gjera parlamentare. Si rregull, ato janë rezultat i konsensusit të partive politike. Krijimi i një qeverie teknike është i pamundur të bëhet vetëm me vullnetin e pakicave parlamentare.

Që të krijohet një qeveri teknike, duhen minimalisht dy partnerë që së bashku formojnë shumicën parlamentare. Nëse njëra palë do të ishte në gjendje ta bënte e vetme këtë, atëherë ajo do të krijonte një qeveri të sajën dhe jo një“teknike”… Ashtu si në tango edhe për një qeveri teknike duhen dy gjithmonë palë.

Por tek ne, ky fund dimri solli një risi të rrallë: pakica parlamentare, e krijuar pas një humbje historike në zgjedhje të rregullta të administruara prej saj përpara rreth katër vjetësh, kërkon që të vendosë përmes ultimatumit edhe fatin e zgjedhjeve të reja. Kjo pakicë ultimative kërkon që ta drejtojë vendin edhe kur populli e ka përjashtuar me votë plebishitare nga qeverisja.

Përmes ultimatumit kërkohet të largohet nga drejtimi i vendit qeveria që ka mandatin më të gjerë të përfaqësimit popullor dhe të krijohet një qeveri që nuk përfaqëson askënd, një qeveri teknike.

Për më keq, për të realizuar këtë ambicie haluçinante, kërkohet që vendimi të merret në një çadër!

Historikisht çadrat janë përdorur nga popujt nomadë, të cilët, duke mos pasur ngujime të përhershme, përdornin lëkurët e më vonë copat e endura si strehë provizore gjatë shtegtimeve të tyre pa fund. Më vonë, ato janë përdorur edhe nga ushtritë gjatë fushatave luftarake, ndërkohë që shqiptarët në përgjithësi i kanë njohur shumëpak dhe shumë vonë. Me gjithë dobinë e madhe, çadrat nuk shquhen si vende ku ngjizet demokracia. Më shumë se me çadrat nomade, demokracia lidhet me “agorën” athinase apo me “forumin” romak.

Edhe pse i brishtë dhe problematik, Kuvendi mbetet i vetmi vend ku mund të merren vendimet e mëdha, në rrugë demokratike. Çadra e “lirisë alternative” nuk mundet kurrsesi tëzëvendësojë parlamentin e zgjedhur as si institucion, por as edhe si simbol.

Në këtë kontekst, duket se kërkesa e opozitës për një qeveri teknike është një lajthitje e pastër. Duket si lajthitje pasi kërkesa është e panevojshme për opozitën dhe e pamundur për pozitën.

Edhe sikur të gjendej konsensusi politik mes dy palëve dhe të miratohej qeveria teknike, ankthi elektoral i opozitës do të mbetej i pa zgjidhur, pasi të gjitha rreziqet e pretenduara prej saj do të mbeteshin përsëri aktive. Qeveria teknike, e dobët në gjenezë prej mungesës së mandatit popullor të përfaqësimit, nuk do të përbënte asnjë lloj garancie kundër “miliardave të krimit”, “bandave”, “oligarkëve”, etj.

Për më tepër, ajo nuk do të kishte asnjë lloj përgjegjësie përpara popullit që nuk e ka zgjedhur.

Nga ana tjetër, as pozita nuk ka tagër të lëshojë një mandat të gjerë përfaqësimi popullor thjesht se këtë gjë e kërkon pakica e pakënaqur në opozitë. Ajo nuk mundet të bashkojë votat me opozitën për një çështje artificiale e për më tepër elektorale, pa shkelur rëndë mbi besimin popullor të deleguar përmes mandatit të 2013-ës.

Opozita jonë e di mirë absurditetin e kërkesës së saj dhe pikërisht për këtë e ka shndërruar atë në ultimatum, duke u kujdesur qartazi që kërkesa e saj të jetë e parealizueshme. Ajo nuk kërkon një qeveri teknike, por vetëm një alibi për të bojkotuar Kuvendin në ditët më të rëndësishme të punës së tij. Sabotimi i pabesë i reformës në drejtësi, pasi mori koncensione të rëndësishme nëpërmjet Kushtetutës së re, është thelbi i aksionit të sotëm opozitar. E vetmja gjë, që opozita duket se mund të arrijë, është një vonim i procesit të vetingut që vjen prej bojkotit të saj parlamentar.

Ekstremizmi i kërkesës dhe ultimatumi i shpallur nga opozita është, në të njëjtën kohë, prova se ajo nuk kërkon qeveri teknike, por alibi politike për reformën në drejtësi dhe për rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme.

Le të imagjinojnë për një moment që edhe pozita do të aplikonte të njëjtin qëndrim si dhe pala kundërshtare. Cila do të ishte rrugëdalja nga situata, sikur Partia Socialiste dhe aleatët e saj tëvendosnin si kusht për të hyrë në zgjedhjet e reja përfundimin e reformës në drejtësi? Edhe kjo do të ishte mjaft e ndershme në parim, por shumë e dëmshme në realitet.

Oratorët e opozitës thonë se nuk ka zgjedhje pa opozitën. Por edhe zgjedhje pa pozitën nuk mund të ketë. Ato kanë kuptim vetëm atëherë kur qytetarët kanë mundësi të zgjedhin të paktën ndërmjet dy alternativave.

Për ta bërë sa më real kërcënimin e saj ultimativ, opozita nuk heziton të kërcënojë edhe me një qëndrim të skajshëm: bojkotimin e zgjedhjeve. Ky pozicion është përtej politikës dhe sigurisht fundi i demokracisë.

Revolucioni i artikuluar pa ndrojtje nga krerë të opozitës, si alternativë ndaj zgjedhjeve parlamentare është në fakt vrasja e demokracisë.

Thirrjet për luftë të bëra në çadrën e Lulëzim Bashës, janë dëshmi ekstremiste e një qëllimi të ulët dhe e një mbështetjeje të pamjaftueshme popullore. Me gjithë sforcimin për një mantel konservator, opozita e sotme e ka përsëri të pamundur të shkëputet nga retorika dhe praktika e ekstremit të majtë, prej nga ka jo vetëm prejardhjen por dhe një pjesë të rëndësishme të lidershipit të saj.

Ndërsa bojkotimi i zgjedhjeve nga opozita e pakënaqur, i paraqitur si opsion, do të krijonte një precedent fatal, duke i dhënë nesër çdo opozite të drejtën për të sabotuar sistemin demokratik nëpërmjet bojkotit të zgjedhjeve dhe duke e futur kështu vendin në një rrugëtim të rrezikshëm.

Zhurma e madhe e zumareve opozitare dhe thirrjet e ngjirura për luftë po kontribuojnë për ta mjegulluar disi edhe kujtimin e 20 vjetorit të tragjedive të panumërta të 1997-ës. Përvjetori i dhjetë u injorua plotësisht nga Partia Demokratike që kishte pushtetin në vitin 2007. Në 2017-ën, kjo parti po përpiqet përsëri të krijojnë koakofoninë dhe zhurmën e nevojshme me synim që tragjedia më e madhe në historinë e shtetit shqiptar të mbetet përsëri një tabu, një dosje e zezë e mbyllur.

Në vend të reflektimit të thellë e të gjerë të politikës dhe të shoqërisë për mijëra jetët e humbura gjatë vitit 1997, për rrënimin e shtetit, të ekonomisë, të ligjit, institucioneve, të ushtrisë, të bankave, të policisë, etj., opozita e sotme përpiqet të na ofrojë një edicion të dytë të dështimit më të madh të saj, një 97-të re.

Në vend të një qeverie teknike, opozita e sotme po kërkon në të vërtetë një qeveri tektonike, e cila do të pamundësonte reformën në drejtësi dhe zgjedhjet e lira e të drejta, do të dërmonte procesin e integrimit europian si dhe do të hapte rrugë për një rënie të lirë të vendit drejt të panjohurës.

Zgjedhjet e lira e të drejta në Shqipëri sot përballen me sfida të ngjashme ashtu si dhe ato që janë zhvilluar apo pritet të zhvillohen në Europë. Ndërhyrjet jokonvencionale të aktorëve të huaj, rreziku i populizmit dhe ndikimet e botës së krimit mund të parandalohen vetëm nga qeveria që ka forcën e mandatit popullor dhe përgjegjësinë e plotë përpara popullit shqiptar.

Zgjedhjet e lira mund të garantohen vetëm nga partnerët strategjikë të Shqipërisë, nga BE, SHBA, OSBE dhe ODHIR. Çdo tentativë për garantë të tjerë është vetëvrasje.

Qeveria tek(to)nike e çadrës, pa mandat popullor dhe e pafuqishme për të mbajtur barrën e reformës në drejtësi dhe të zgjedhjeve të lira nuk është zgjidhje, por thellim i krizës.