Aktualitet Qeveria vendos lirimin e përkohshëm të disa të burgosurve për shkak të...

Qeveria vendos lirimin e përkohshëm të disa të burgosurve për shkak të COVID-19

Qeveria ka vendosur të lirojë nga qelitë përkohësisht një pjesë të burgosurve si pasojë e përhapjes së pandemisë nga koronavirusi.

Në aktin normativ i publikuar në Fletoren Zyrtare paraqiten edhe kriteret përkatëse të të burgosurve që përfitojnë qëndrim të përkohshëm në shtëpi.

Kriteret për përfitimin e lejes së veçantë

1. I dënuari mund të përfitojë leje të veçantë qëndrimi të përkohshëm në shtëpi për një periudhë 3-mujore, në rast se në datën e hyrjes në fuqi të këtij akti normativ:

a) është i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë dhe përmbush të dyja kushtet e mëposhtme: I ka mbetur pa vuajtur nga dënimi i dhënë deri në tre vjet burgim; Nuk është në kriteret ndaluese të parashikuara në nenin 5, të këtij akti normativ.

b) është i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë dhe përmbush të gjitha kushtet e mëposhtme: I ka mbetur pa vuajtur nga dënimi i dhënë deri në pesë vjet burgim; Është baras ose mbi moshën 60 vjeç;

iii. Vuan nga një sëmundje kronike e rrezikshme për jetën, e vërtetuar me dokumentet mjekësore përkatëse, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi; Nuk është në kriteret ndaluese të parashikuara në nenin 5, të këtij akti normativ.

2. Periudha e qëndrimit të përkohshëm në shtëpi, sipas përcaktimeve të këtij neni, përfshihet në kohën e vuajtjes së dënimit.

3. Nëse gjatë periudhës së zbatimit të lejes së veçantë të qëndrimit të përkohshëm në shtëpi, gjykata vendos ekzekutimin e vendimit të dënimit me një dënim alternativ, sipas parashikimeve të Kodit Penal, leja e veçantë, sipas këtij akti normativ, shfuqizohet.